Me këto pamje shqiptarët e Maqedonisë nisën ditën e 1 majit 2012, 5 vite më parë. Dy burrat me maska që e shoqëronin në Gjykatë, nuk vendosën prangat vetëm ndaj një motre dhe nëne tipike shqiptare, por edhe ndaj krenarisë dhe dinjitetit të shqiptarëve, që ajo e simbolizonte. E tmerruar dhe nënçmuar, por me kokën lartë për drejtësinë e vonuar të cilën nuk e vinte në dyshim.
Kimete Demiri edhe sot nuk dëshiron të flasë për tmerrin e përjetuar më 1 maj, por pjesëtarët e tjerë të familjes tregojnë ngjarjet e asaj dite.
“U arrestua motra, nusja e vëllait, shoqja e Afrimit, ajo plaka në Likovë, isha aty në gjyq kur i binte të fiktë dhe nuk i ndihmonte askush. Kam qenë aty dhe e kam parë vetë atë tmerr”, ka deklaruar Qezmedin Demiri, vëllai i Kimete Demirit.
Vëllai i Kimetes, Qezmedin Demiri rrëfen se si një mori blindash kishin trazuar qetësinë e familjes Demiri, për të dalë që aty me tre anëtarët e familjes që rezultuan të pafajshëm 48 orë pas aksionit.
“Si sot e kujtoj policinë, ku janë kanë, si janë kanë, si na kanë arrestu. Të gjitha i kujtoj. Sa ka patur polici, sa ka patur autoblinda. Se blindi kur të shkojë dikund është rrezik i madh”, tha më tej ai.
Demiri thotë se qëmoti kanë hequr dorë së kërkuari drejtësinë në instititucionet e Maqedonisë. Prandaj dhe nuk u bën përshtypje as seanca e Gjykatës Supreme e cila duhet të japë fjalën përfundimtare për burgimin e përjetshëm të të akuzuarve shqiptar.
Ai thotë se kanë qenë në takim me liderin e opozitës Zoran Zaev dhe me prokuroren Speciale Katica Janeva dhe që të dy u kanë thënë se ekzistojnë dëshmitarë kyç për rastin që po pengohen nga mosvotimi i ndryshimeve në ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.
“Kurrë ska me pasë prova derisa është ky sistem…Kam patur rastin ta takoj Zoran Zaevin. Më ka thënë se duhet të votohet në Parlament. Janë dy dëshmitarët që e dinë gjithë rastin. Më tha ja e publikova Sopotin a ndryshoj diçka? Edhe për rastin e juaj nuk do të ndryshojë asgjë. Ai është i bindur, edhe ne jemi të bindur se jemi të pafajshëm. E kërkojmë drejtësinë”, shtoi më tej Demiri.
Zbardhja e plotë e rastit do të zbusë dhimbjen e kësaj familje, por asgjë nuk do të shlyejë fotografitë e 1 majit, nga memorja e shqiptarëve të këtij nënqielli.