Partitë politike ende nuk kanë përpiluar ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor të cilat duhet të miratohen në Kuvend 3 muaj para zgjedhjeve lokale, përkatësisht më së voni deri në qershor të këtij viti. Ndryshimet duhet të bëhen me konsensus nga të gjitha partitë parlamentare e më pas të dorëzohen në Kuvend. Nga Ministria e Drejtësisë thanë për TV Shenja se po ndërmerren aktivitete për përgatitjen e të njëjtit. Sipas tyre, po bëhen analiza për harmonizimin e Kodit Zgjedhor me rekomandimet e ODIHR-it.
Ministria e Drejtësisë
“Megjithatë, duhet pasur parasysh se legjislacioni zgjedhor kërkon një konsensus të gjerë politik dhe kjo do të kërkojë një qasje konstruktive dhe mbështetje nga faktorët kryesorë politikë në vend. Fatkeqësisht, në ciklet e mëparshme zgjedhore, kjo ka rezultuar në mospërputhje mes draft-versionit të ligjit të përgatitur me mbështetjen e ODIHR-it dhe kodit të miratuar nga Kuvendi”.
Misioni i OSBE-së dhe ODIHR-it, i cili vëzhgon zgjedhjet në vend, herën e fundit, kishte kritika se, Kodi Zgjedhor u ndryshua pak para zgjedhjeve përmes një procesi të përshpejtuar pa konsultim publik, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Në raport thuhej se, rekomandimet kryesore nga grupi ndërinstitucional i punës i ngarkuar me avancimin e reformës zgjedhore, si dhe nga ODIHR-i dhe Komisioni i Venedikut, mbeten të patrajtuara, duke i përfshirë ato për rishikimin e plotë të kornizës ligjore zgjedhore, sigurimin e qasjes së barabartë në media dhe rritjen e integritetit të financimit të fushatës.
Raporti përmbante një sërë kritikash, megjithatë theks i veçantë u vu në financimin e fushatave zgjedhore. OSBE/ODIHR-i rekomandoi që, rregulloret për reklamat e paguara politike në media të rishikohen, në mënyrë që të mundësohet qasje e papenguar në media në bazë të kritereve të arsyeshme dhe objektive dhe të shmanget një avantazh joproporcional për partitë më të mëdha parlamentare.
Raporti i OSBE/ODIHR
“Megjithatë, rregullimi i qasjes në hapësirat e fushatës, në media dhe financimi i fushatës i favorizoi katër partitë kryesore parlamentare, gjë që e pengoi mundësinë e garuesve të tjerë për të zhvilluar fushatë në baza të barabarta. Sistemi aktual i financimit shtetëror për reklamat e fushatës e rrit varësinë e mediave nga subvencionet shtetërore dhe nuk e parandalon keqpërdorimin nga portalet e lajmeve online të krijuara vetëm gjatë fushatës dhe që shërbejnë për t’i drejtuar fondet shtetërore tek partitë”.
Edhe pse, në Parlament ka hyrë në procedurë ligji i ri për media, që tashmë përfshin edhe rregullimin e mediave online, ky ligj nuk parasheh parandalimin e parave të buxhetit gjatë kohës së fushatave zgjedhore. Kryetari i SHGM-së thotë se, kjo duhet të rregullohet me Kodin Zgjedhor, ndërsa është optimist se, pas formimit të regjistrit për mediat online, do të fillojë procedura edhe për këtë çështje.
Mlladen Çadikovski, kryetar i SHGM-së
“Në këtë fazë nuk parashikohet kjo dhe ajo duhet të ndryshohet me ligj të ri, ndërsa ajo është Kodi Zgjedhor. Por, logjika e parashtrimit të çështjeve thotë se, nëse veç më formohet një regjistër i tillë për media online, në periudhën e mëtejmë do të fillojë procedura edhe e këtyre ndryshimeve, me të cilin do të ndryshohet Kodi Zgjedhor”.
Ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor u bënë para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar.
Teuta Buçi /SHENJA/