Një ndër pikat më të frekuentura në qytetit e Shkupit është edhe ajo e Bulevardit “Cvetan Dimov”, ose ndryshe e njohur në opinion si rruga e “Jahja Pashës”. Për çdo ditë, në atë rrugë kalojnë me qindra vetura, motoçikleta, biçkleta e deri te trotinetët, ndërsa fatkeqësishtë nga rrëmuja e madhe që krijohet në atë pjesë, nuk mungojnë as aksidentet, e disa prej tyre madje përfundojnë me fatalitet.
Për të gjetur një zgjidhje afatshkurtër, këshilltarët e Aleancës Kombëtare për Integrim, në qytetin e Shkupit, kanë dorëzuar një iniciativë me shkrim deri tek kryetari i qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, për siç thonë, ndërhyrje urgjente, për të vendosur një semaforë në disa pika kryesore të kalimit të këmbësore.
Këshilltari i AKI-së, në qytetin e Shkupit, Daim Luçi, për televizionin Shenja tha se kjo iniciativë vjen pas reagimeve të shumta dhe të justifikuara të qytetarëve për kaosin e përditshëm në këtë segment dhe rrezikun e lartë për këmbësorët.
DAIM LUÇI, KËSHILLTARË I AKI-SË NË QYTETIN E SHKUPIT
“Kohës fundit ka pasur shumë reagime dhe shumë kërkesa nga qytetarët, që edhe përskaj të atyreve premtimeve që bëhen para zgjedhjeve, por edhe pas zgjedhjeve për zgjidhje afatgjate për këtë bulevardë, ne si grup i këshilltarëve, u ulum dhe diskutuam për këtë punë dhe menduam për një zgjidhje të problemit afatshkurtër, e cila do të ndihnmonte dhe do të lehtësonte këto probleme të cilat ndodhin në këtë bulevardë, ku mund të vendosim semafora ndihmës, konkretisht për të parandaluar këtë trafikë të madh që mundë të bëhet këtu, por edhe fatkeqësitë që kanë ndodhur kohës së fundit këtu, deri tek shkelja e këmbësoreve, ndeshjet e shumta që janë bërë edhe me trotinet motoçikleta”.
Kërkesën për vendosjen e semaforëve, e mirëpresin edhe qytetarët. Sipas tyre, kjo do të ndihmonte në uljen e aksidenteve të trafikut, por edhe do të rregullonte sado pak komunikacionin.
QYTETAR
“Po kjo do të ishte më së miri, se shumë po bëhet rrëmujë dhe këmbësorët nuk po e din se ndalet vetura apo ajo. Me siguri po, mendoj që po. Duhet të bëhet një zgjidhje, zgjidhje tjetër nuk ka. Shpresojë të bëhet më mirë”.
QYTETAR
“Po mirë është të bëhet, për arsye se njerëzit kalojnë dhe nuk presin. Me siguri, me siguri do të bëhet, zgjidhje e mirë është”.
Këshilltarët e AKI-së presin që kjo kërkesë të përkrahët edhe nga këshilltarët e partive tjera politike, e në veçanti edhe nga ata të koalicionit VLEN, ndërsa nëse realizohet kjo zgjidhje siç thonë, afatshkurtër, presin që bulevardi “Cvetan Dimov”, të merr pamjen e merituar, siç është premtuar disa herë, me shumë korsi, apo me nënkalim.
Samir Mustafa /SHENJA/


