Vendi ku para shtatë viteve u shpërngul arkivoli që barte me vete trupin e ftohtë të dëshmorit të kombit, Harun Aliu, priti sot mysafir të zymtë, të pikëlluar, fytyra të ngrysura por, kryelarta, raporton SHENJA.
Familjarë, bashkëveprimtar dhe shumë persona të tjera sot, përmes lutjeve, përkujtuan edhe njëherë veprën jetësore të komandant Kushtrimit. Sot u thanë shumë pak fjalë për veprën e tij. Mbizotëronte heshtja dhe meditimi në të. Veprat e tij atdhetare që u kurorëzuan me plumba vrasës, nuk lanë vend për të thënë shumë fjalë, pasi varri i tij flet më shumë se zhurma e plumbave… duke e heshtur atë e bënë më të zëshëm, e bën të thotë atë që gjuha nuk është e aftë ta shqipton.
Bashkëveprimtari i tij, Shaban Çupi, përderisa tregonte përvojat e tij personale me Harun Aliun, në rrugën e idealeve, fliste në kohën e tashme, duke u shprehur: “Harun Aliu është”. Sepse, për familjen, shokët e tij dhe popullin shqiptar, ai është akoma dhe vdekja nuk arriti t’ua rrëmben dot.
Pjesëmarrës në shumë beteja dhe luftëra kombëtare, Harun Aliu mbahet mend ndër viset shqiptare si një atdhetar i flaktë, luftëtar të përjetshëm si dhe një ushtar i cili aktivitetet e tija luftarake për çështjet kombëtare i shtriu edhe jashtë betejave të armatosura.
Kushtrimi ishte pjesëmarrës në aradhat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në vitet e 90-ta nën drejtimin e komandantit Adem Jashari. Nga viti 1995 ai filloi edhe me aktivitete konkrete në Maqedoni, ku ishte pjese e grupeve që në Kërçovë e qytete të tjera të banuara me shqiptarë kishin kryer sulmet e para me bomba. Ai pjesën më të madhe në konfliktin e vitit 2001 e kaloi në front, duke bartur me vete shumë beteja, si ajo e Tanushës, Kalasë së Tetovës dhe zonat e luftës në karadakun e Shkupit dhe Kumanovës.
Aliu së bashku me disa shokë të tij që nuk pajtoheshin me aktivitetin BDI-së , në vitin 2006 themeloi partinë politike Alternativa Kombëtare. Më 3 janar të vitit 2008 persona të panjohur në Shkup sulmuan një automjet të policisë ku mbeti i vrarë polici Zoran Markovski dhe disa të tjerë u plagosën. Për këtë incident policia e Maqedonisë akuzoi Harun Aliun dhe më 4 shkurt të vitit 2010 u dënua me burgim të përjetshëm. Që nga ky rasti Harun Aliu arratiset dhe ishte i pakapshëm për autoritetet. Tre muaj më vonë Maqedonia u zgjua me një lajm të hidhur, policiakishte vrarë Xhafer Shalën 31 vjeçar nga Prishtina, Qemal Fejzullahun 47 vjeçar nga fshati Gërçec i Shkupit, Shaban Zenunin 36 vjeçar nga fshati Merovë i Tetovës dhe Harun Aliun, 39 vjeçar nga Shkupi.
Edhe sot kjo ngjarje makabre është një mjegull para syve të opinionit….
Teuta Buçi /SHENJA/
(VIDEO) Kaluan 7 vjet nga vrasja e Harun Aliut… by tvshenjaofficial

