Gjykata kushtetuese me të drejtë nuk inicoi dje procedurë lidhur me mandatin e kryetarëve të komunave dhe të këshillëve komunal, pasi e njëjta nuk ka kompetencë për një gjë të tillë. Kështu vlerëson juristi Bekim Kadriu, i cili tha se Kuvendi tanimë është funksional dhe në njërën nga seancat e para do të bëjë ndryshime të ligjeve përkatëse që e rregullojnë mandatin e njësive të vetëadministrimit lokal, përkatësisht e kryetarit të komunave dhe të këshillave. Ai vlerëson se kjo çështje do të zgjidhet për maksimalisht dy javë. Ai tha se për vazhdimin e mandatit të kryetarëve të komunave duhet të bëhen ndryshime në ligjin për vetëadministrim lokal, ose në kodin zgjedhor të shtohet një dispozitë ligjore.
“Ka dy variante ligjore, njëri është ligji për vetëadministrim lokal, i cili miratohet dhe ndryshohet me dy të tretat e votave, andaj duhet të jetë me siguri problem nëse nuk arrihet konsensus edhe me partinë VMRO, që të bëhet ndryshim i këtij ligji, me qëllim që t’u shtohet mandati kryetarëve të komunave dhe të këshillave, ose varianti i dytë është që ndryshimet të bëhen në kodin zgjedhor. Edhe kjo alternativë është e mundur, dhe me siguri do të shkohet në këtë variantin e dytë, që të ndryshohet kodi zgjedhor. Duhet vetëm një dispozitë ligjore të shtohet e cila momentalisht mungon, dhe ajo është që nëse zgjedhjet eventualisht nuk mund të mbahen për shkaqe të ndryshme, mandati i kryetarëve të komunave dhe këshillave vazhdohet deri në zgjedhjet e ardhshme, vetëm aq.”, ka deklaruar Bekim Kadriu, jurist.
Sipas ekonomistit, Abil Baush, kjo krizë do të kalojë në dy dimensione, atë teknik dhe atë zhvillimor. Në aspektin teknik bëjnë pjesë rrogat e arsimtarëve dhe punonjësve të tjerë të komunave, të cilat sipas Baush, mund edhe më lehtë të tejkalohen, pasi sipas tij, ingerencat mund të kalojnë tek ministrat teknik. Ndërkaq probleme të mëdha sipas tij mund të hasen në aspektin zhvillimor.
“Aspekti tjetër, aspekti zhvillimor, programet zhvillimore të cilat i kanë bërë komunat vetë, aty mund të kemi probleme të mëdha, sepse buxheti i miratuar paraprakisht nga kryetarët e komunave, mund tash të stopohet, nuk do të ketë mënyra se si të bëhet programimi dhe riprogramimi i atyre projekteve, të cilat janë bërë në komunë. Edhe këtu mund të hasim në probleme sepse secila komunë e ka specifikën e vet.”, deklaroi Abil Baush, ekonomist.
Mandati i kryetarëve aktual të komunave të zgjedhur në prill të 2013-tës, skadon më 15 maj, pra për 4 ditë. Deri në zgjedhjen e organeve të reja lokale, komunat do të funksionojnë me kompetenca të kufizuara.
Kadriu: Gjykata Kushtetuese veproi drejtë… by tvshenjaofficial

