Protesta e 25-të radhazi për largimin e kryeministrit Edi Rama ka përfunduar sërish para godinës së kryeministrisë, aty ku qytetarët kanë vijuar thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën e tyre kryesore: “Rama jep dorëheqjen!”
Pas fjalimeve të mbajtura para zyrës së kryeministrit, teksa në Tiranë nisi shiu, protestuesit kanë vijuar marshimin lëvizjen në rrugët e kryeqytetit deri sa moti u përmirësua.
Marshimi ka kaluar në disa nga akset kryesore të Tiranës, duke nisur nga zona pranë Kryeministrisë, drejt qendrës së qytetit, në zonën e 9-Katësheve, pranë Bankës së Shqipërisë, më pas drejt Shallvareve dhe më tej është rikthyer sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së qeverisë.
Gjatë gjithë marshimit, qytetarët kanë përsëritur në kor thirrjen që tashmë është kthyer në simbol të protestës: “Rama jep dorëheqjen!”
Po ashtu, gjatë protestës është dëgjuar edhe thirrja “Rama, Rama, f*ck you”, në referencë të deklaratës së kryeministrit Edi Rama në një intervistë për “Financial Times”, ku ai përdori këtë shprehje ndaj kritikëve të tij.
Protestuesit kanë hedhur edhe thirrje për arrestime të figurave politike, si: “Arresto Ballukun”, “Rama në burg, Berisha në burg”.
Ashtu siç kanë bëtë këto tri javë, protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin e tyre edhe në ditët në vijim, duke kërkuar largimin e qeverisë, kërkesë të cilën e kanë të panegociueshme.


