
Tre skenarë qarkullojnë tanimë nëpër kuluaret partiake lidhur me fatin e Qeverisë së ardhshme. Skenari i parë fati i të cilit do të precizohet më së voni deri të dielën është që BDI sot dhe nesër të vendos pro formimit të koalicionit qeveritarë me VMRO-DPMNE-në. Në këtë koalicion kryeministër do të rikthehet Nikolla Gruevski i cili aktualisht ka dhe mandatin për formimin e Qeverisë, ndërsa i njëjti të dielën do të propozojë në Kuvend kabinetin e ri qeveritarë.
Jozyrtarisht për sot është përfolur se do të mbahet një mbledhje e kryesisë së BDI-së në Tetovë por me përbërje të zgjeruar ku do të ftohen të gjithë funksionarët partiak dhe qeveritarë. Por për këtë mbledhje askush nuk pranon të flet zyrtarisht. Skenari i dytë mund të zhvillohet javën e ardhëshme, në rast se Gruevski nuk arrin të formojë Qeveri deri të dielën. Në këtë rast e kthen mandatin te presidenti, ndërsa Ivanov mandatin ia jep përsëri VMRO-DPMNE-së, por kësaj radhe një funksionari tjetër të kësaj partie.
Sipas asaj që flitet nëpër kuluare partiake dhe mediatike, mandatari i dytë do të jetë Nikolla Popovski, aktualisht ministër i jashtëm dhe zëvendës kryeministër në Qeverinë teknike të Emil Dimitrievit. Kjo pritet të bëhet për të evituar koalicionimin e BDI-së me Gruevskin, por të ruhet koalicionimi me partinë e tij, VMRO-DPMNE-në. Popovski në këtë rast pritet që Ivanovit ti dorëzojë listë prej 61 deputetëve të cilët do të arsyetonin dhënien e mandatit nga ana e presidentit. Skenari i tretë i cili është më pak i dëshirueshëm për BDI-në, por që mësohet se është përdorur si kërcënim nga VMRO në rast se Ahmeti nuk pranon koalicion me partinë e tij, është mbajtja e zgjedhjeve të reja. Sipas këtij skenari, nëse deri të dielën Gruevski nuk propozon në Kuvend Qeverinë e re, atëherë nga dita e hënë, gjatë javës Ivanov do të jep dorëheqje.
Me këtë akt, vendi do të ngelej pa udhëheqës dhe pa komandant suprem të forcave të armatosura pasi kryeministri është teknik, ndërsa zëvendësi i vetëm i presidentit, kryetari i Kuvendit ende nuk është zgjedhur. Në këtë situatë vendi hyn në gjendje të jashtëzakonshme dhe detyrimisht duhet të mbahen zgjedhje të reja në afat prej 40 ditëve. Por të gjitha këto skenare mbeten vetëm në nivel të kombinatorikave partiake dhe liferimeve mediatike, pasi as nga VMRO dhe as nga BDI nuk saktësojnë në mënyrë zyrtare nëse deri të dielën vendi do të ketë Qeveri të re dhe nëse atë qeveri do të udhëheqin dy partnerët e deritanishëm. Ndërkaq në BDI tensionet vazhdojnë edhe më tej veçanërisht mes ish funksionarëve qeveritarë të cilët mbështesin koalicionin me VMRO-DPMNE-në dhe nënkryetarëve të kësaj partie, Nevzat Bejta, Izet Mexhiti dhe Teuta Arifi të cilët kundërshtojnë bashkëqeverisjen me Gruevskin. Ata mësohet se mbështeten edhe nga funksionarët e rinj dhe disa zyrtarë të tjerë partiak.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Ja cilat janë tre skenarët për Qeverinë e ardhshme by tvshenjaofficial