Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogerini ka takuar drejtuesit e partive parlamentare, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Lëvizjes Besa, Aleancës për Shqiptarët dhe PDSH-së në hapsirat e Kuvendit të Maqedonisë. Temë qëndrore ka qenë situara e krijuar pas vendimit të presidentit Gjorgji Ivanov për të mos I dhënë mandatin kreut të LSDM-së, Zoran Zaev dhe perspektivën euro atlantike të vendit. Pas takimit, kreu i LSDM-së, u shpreh i kënaqur që edhe më tej Bashkimi Evropian mbështet Maqedoninë, ndërsa ftoi presidentin Ivanov që të rishqyrtojë vendimin e tij dhe të respektojë vullnetin e 700 mijë votuesve.
“Kriza politike patjetër të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Porosia që kishim mbrëmë nga Han dhe miqtë tjerë, nënkuptojnë një sjellje miqësore ndaj Maqedonisë. Çdo deklaratë ndryshe, nuk mund të vlerësohet si dashamirëse. Edhe një herë përsëris se dhënia e mandatit nuk nënkupton formim të Qeverisë, por është rruga drejt formimit të Qeverisë. I shikojmë të gjitha opsionet, por lëvizim në drejtim të respektimit të fazave të logjikshme dhe ligjore, dhe mos t’i japim askujt shkak që të bëjë çmenduri dhe budallallëqe”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha se vendimi i presidentit Ivanov është pasojë e lojrave të koordinuara mes VMRO-së dhe BDI-së të cilat i dhanë atij një alibi të përkohshëm për të penguar formimin e Qeverisë. Kasami tha se Besa vazhdon të kontribuojë në kalimin esituatës dhe daljen nga kriza.
“Ne si Lëvize BESA kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të kontribuojmë në zgjedhjen e krizës, ashtu siç kontribuuam në deklarimin tonë për të përkrahur kryetarin e LSDM-së për të marrë mandatin për të biseduar për formimin e Qeverisë. Ashtu siç nuk ndodhi fatkeqësisht nga BDI-ja e cila i nisi bisedimet për Qeveri me një person i cili nuk ishte i mandatar, bazuar në një deklaratë e cila ishte alibi për Presidentin e shtetit që të mos japë mandatin për Qeverinë. Kjo po na jep të kuptojmë se jemi në një krizë e cila diç duket është e koordinuar nga dyshja VMRO-BDI”, tha numri një i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Kryetari i Lëvizjes për Reforma PDSH, Ziadin Sela, tha se tema me zyrtarizimin e gjuhës shqipe përdoret vetëm si arsye për të mbrojtur, siç u shpreh ai kriminelët nga drejtësia.
“Nëse ne nuk kemi të drejtë që të jemi tutor të të drejtave të atyre që i prezantojmë, ju garantoj që këtë të drejtë aspak nuk e ka ai që i thotë vetes President i shtetit, që dje tregoi me aktin e tij se s’është gjë tjetër vetëm se marionetë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së. Këtu nuk bëhet për gjuhën, shfrytëzohet vetëm si mjet për të nxitë qytetarët, për të manipuluar qytetarët, dhe qëllimi është që të mbrohen kriminelët, të ndalohet procesi i dekriminalizimit të institucioneve”, tha Ziadin Sela nga koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”.
Për kreun e PDSH-s, Menduh Thaçi, vendimi i Ivanovit vetëm dëshmoi domosdoshmërinë e zbatimit të platformës së PDSH-së dhe instalimin e Parlamentit dydhomësh ku nuk do të mund të vendos një person për gjithë shqiptarët.
“Nuk do të kishte më kuptim që shqiptarët të bëjnë angazhime politike dhe të kenë parti politike, ku çdo individ si Ivanovi vendos që të barazvlerësojë me zero votën e tyre. Patjetër shqiptarët duhet të arrijnë që mekanizmin e vendimmarrës ta kenë të barabartë me maqedonasit. Një ndër format është parlamenti dydhomësh. Nga ana tjetër shpreha një shqetësim shumë të madh se ky konflikt politik fatkeqësisht mund të rrëshqasë shumë shpejtë në konflikt etnik”, tha kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Kryetarët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti evituan gazetarët dhe u larguan nga takimi me Mogerinin pa dhënë ndonjë deklaratë për mediat e pranishme në Kuvend.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Ja çfarë thanë liderët partiak pas takimit ne… by tvshenjaofficial

