I akuzuari në lagjen e trimave, Qenan Iseini denoncoi përfshirjen e një inspektori të policisë në inskenimin e rastit të Kumanovës. Iseini, në shtëpinë e të cilit ishin strehuar disa pjesëtarë të grupit në fshatin Hotël, para se të vinin në Lagjen e Trimave, tha se ai e kishte mbajtur grupin në shtëpi për 2 ditë pasi kishe qenë i detyruar, dhe më pas kur kishte ardhur koha që ata të largohen, Mirsad Ndrecaj u kishte dërguar një makinë me tre persona mes të cilëve kishte qenë edhe inspektori i policisë me emrin Armend.
“Erdhi një makinë me tre persona. Inspektor Armendi dhe dy të tjerë dolën dhe hynë në oborrin tim, ndërsa shoferi nuk doli. Me të bisedoi Sevdail Miftari. Mendova tu tregoj grupit se Armendi është inspektor por thashë me vete nëse e ka dërguar Mirsadi ata e dinë këtë gjë. Për Armendin isha i sigurtë se është inspektor pasi ekam parë njëherë teksa i ka marrë deklaratë një familjari tim për vjedhje. E pyeta si ka mundësi emblemi i policisë së Maqedonisë dhe i UÇK-së të bëhen bashkë, ai tha shumë thjeshtë. E heq të policisë dhe e vendos të UÇK-së. Pasi kishte biseduar me shoferin, Sevdail Miftari më tha, gjithë kjo është një lojë”, tha i akuzuari në “Lagjen e Trimave”, Qenan Iseini.
Pasi që grupi ishte larguar, policia ia kishte rrethuar shtëpinë dhe e kishte arrestuar dhe mes njësitit të policisë e kishte parë edhe inspektor Armendin i cili pasi kishin arritur në stacion, e kishte kërcënuar atë që mos guxojë të flasë diçka për lidhshmërinë e tij me grupin.
Avokati mbrojtës Naser Raufi tha se ata e dinë se cili është inspektori në fjalë dhe i njëjti doemos do të paraqitet para gjykatës për të dëshmuar.
Nnjëri prej avokatëve mbrojtës, Ibrahim Bajrami, hodhi dyshimin se gjykatësja po mban anën e prokurorisë, pasi gjatë seancës ajo i sugjeronte prokurores që të kundërshtojë disa pyetje të caktuara.
U dëgjua edhe pronari i njërës prej shtëpive në Lagjen e Trimave ku ka qëndruar grupi, Fadil Fejzullahu i cili mohoi akuzat për ndihmë logjistike të grupit. Por ai pranoi se ka qëndruar më 7,8 dhe 9 maj me grupin në shtëpi, vetëm e vetëm që ata mos të mendojnë se do ti prejë në besë. Siç shpjegoi Fejzullahu, dikush e kishte informuar se shtëpia e tij ishte përplot me njerëz, dhe kishte ardhur ta kontrollojë pasi që ai prej vitit 2010 jeton në një shtëpi në Rramanli.
Prokurorja Ruskovska: Përse qëndruat në atë shtëpi deri më 9 maj.
Fadil Fejzullahu: Që të mos mendojnë se do ti pres në besë se do ti tradhëtoj. Por dikush prej këtij grupi duhet të japë llogari.
Prokurorja Ruskovska: Në një pushkë automatike janë gjetur gjurmët tuaja…
Fadil Fejzullahu: Unë nuk di asgjë për këtë.
Prokurorja Ruskovska: Mirë, do tu informojmë ne
Prokuroria e pyeti Fadil Fejzullahun nëse ka gjuajtur drejt polciisë, por ai mohoi një gjë të tillë duke thënë se ai ka qenë i plagosur dhe gjatë tërë kohës ka shikuar se si të fshihet dhe të ikë nga breshëria e plumbave dhe të mundohet ta ndalojë gjakderdhjen. Fadil Fejzullahu tha se ai nuk e njeh asnjë pjesëtarë të grupit përveç Sami Ukshinit, i njohur si Komandat Sokoli.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Ja çfarë ndodhi sot në seancën për “Lagjen e… by tvshenjaofficial

