Të paktën 404 persona kanë humbur jetën dhe 562 të tjerë janë plagosur, në sulmet që Izraeli nisi në Rripin e Gazës mëngjesin e sotëm duke shkelur armëpushimin. Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se numri i personave që humbën jetën në sulmet dhe masakrat e kryera nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës u rrit në 404.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje që të respektohet armëpushimi në Rripin e Gazës pas sulmeve të fundit të kryera nga Izraeli. Në një deklaratë me shkrim nga zëvendës-zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq u theksua se Guterres është i “tronditur” nga vrasja e kaq shumë civilëve palestinezë në sulmet ajrore izraelite në Gaza.
Po ashtu ka reaguar edhe ministria turke e Punëve të Jashtme. Në deklaratë thuhet se masakra izraelite e qindra palestinezëve në sulmet në Gaza mëngjesin e sotëm tregoi se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka hyrë në një fazë të re në politikën gjenocidale.
“Izraeli sfidon njerëzimin duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe vlerat universale në mënyrën më të rëndë. Në një periudhë kur kërkimi për paqe dhe stabilitet në nivel global po intensifikohet, ky qëndrim agresiv i shfaqur nga qeveria izraelite kërcënon të ardhmen e përbashkët të rajonit”, thuhet në dekleratë.
Edhe Ministria e Jashtme e Egjiptit dënoi sulmet vdekjeprurëse ajrore të Izraelit gjatë natës në Rripin e Gazës, duke i quajtur ato një “shkelje flagrante” të armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar. Sulmet përbëjnë një “përshkallëzim të rrezikshëm që kërcënon të sjellë pasoja të rënda për stabilitetin e rajonit”, thuhet në deklaratën e Egjiptit, i cili ndërmjetësoi armëpushimin e Gazës së bashku me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara.
Pas armëpushimit që u arrit më 19 janar, ushtria izraelite nisi sërish sulme të ashpra në Rripin e Gazës mëngjesin e sotëm. Thuhet se ushtria izraelite ka bombarduar intensivisht Rripin e Gazës, përfshirë tendat e palestinezëve të zhvendosur, shkollat ku ata janë strehuar dhe shtëpitë e civilëve. Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet janë nisur me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz. /SHENJA/