Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski njoftoi se ish-drejtori i Elektranave të RMV-së Vasko Kovaçevski akoma nuk është në dispozicion të organeve të vendit. Ai tha se institucionet kompetente do të ndërmarin gjithçka në kompetencën e tyre, në mënyrë që Kovaçevski të vihet para organeve të drejtësisë.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Dje ka pasur shumë spekulime në lidhje me vendndodhjen e tij dhe se nëse ka hequr dorë nga shtetësia maqedonase. Ajo që është fakt është se personi në fjalë është i regjistruar në regjistrin e shtetasve të Maqedonisë, është shtetas i Maqedonisë dhe nuk ka kërkuar lëshim të nënshtetësisë. Ndërsa sa I përket vendodhjes së tij aktuale nuk do të doja të spekuloja por do tua lë organeve kompetente të punojnë dhe ta vendosin atë person para drejtësisë”.
Toshkovski tha se ky aksion deri më tani është më i madhi që është bërë në RMV për dëmtimin e buxhetit të shtetit, i cili është bërë gjatë krizës energjetike kur qytetarët nuk mund t’ia dilnin mbanë. Ai theksoi se ekziston dyshimi se dëmi shtesë në sektorin e energjetikës është më i madh se vlerësimi fillestar dhe në rast të vërtetimit dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi për të.
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Dëmi fillimisht supozohet që është 6.5 milionë euro, nga informacionet që I kam nuk do të ndalem tek kjo vlerë. Ekzistojnë dyshime se ajo që është blerë në vlerë prej ari dhe nuk është shfrytëzuar në 95% të rasteve, në ato 5% kur është shfrytëzuar ka shkaktuar dëme shtesë në blloqe. Nëse vërtetohet se është bërë dëm shtesë gjatë punës së subjektit juridik, dikush do të duhet të paguajë për të. Dikush do të duhet të paguajë edhe për dëmet e shkaktuara në sektorin e energjetikës”.
Toshkovski njoftoi se gjatë kontrolleve të kryera në Manastir, Negotinë, Kërçovë, Veles dhe Shkup, gjatë operacionit është siguruar një sasi e madhe e provave materiale, ndërsa tek tre persona janë gjetur dhe konfiskuar rreth 130.000 euro. Ai theksoi se disa nga të dyshuarit në cilësinë e tyre si zyrtarë në SHA EMV dhe SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut ” krijuan grup që kishte për qëllim kryerjen e veprave penale, keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratave për furnizime publike, shpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim të parave.
Të martën policia ka arestuar 23 persona të dyshuar për krim prej 6.5 milionë eurosh në EMV, REK “Manastir”, Termocentralet Osllomej dhe Negotinë.
Medina Ajeti ALi /SHENJA/