Zhvillimet e fundit politike si dhe incidentet e dhunshme në Kuvend kanë ngjallur interesim të madh edhe tek mediat e rajonit dhe ato botërore, disa prej të cilave tanimë kanë sjellë në Shkup edhe ekipet e tyre të reporterëve. Sot para Kuvendit ndodheshin disa nga mediat rajonale nga Greqia, Serbia, Bullgaria, por kishte edhe ekipe nga Rusia dhe media të tjera ndërkombëtare. Më të interesuara dukeshin mediat nga rajoni, ndërsa disa nga gazetarët që intervistuam, thanë se zhvillimet në Maqedoni kanë ngjallur shumë interes në vendet e tyre për shkak të ndikim të tyre edhe në marrëdhëniet mes shteteve në rajon.
“Ne kemi ardhur dje për shkak të situatës, protestave dhe gjitha zhvillimeve këtu. Neve na interesojnë zhvillimet kështu sepse janë të rëndësishme edhe për marrëdhëniet në mes dy vendeve tona”, thotë Xhorxh Grigorialis nga Antena TV e Greqisë.
Gordana Bjeletiç nga televizioni N1 që transmeton program në Serbi, Bosnjë dhe Kroaci, e cila tani e dy vite raporton nga Shkupi për zhvillimet më të rëndësishme që ka kaluar vendi, thotë se problem i Maqedonisë ka shqetësuar edhe qytetarët e rajonit. Bjeletiç thotë se një nga arsyet e angazhimit të tyre është që të demantojnë spekulimet të cilat sipas saj vijnë nga media që nuk kanë as gazetarë në Shkup, ndërsa frikësojnë qytetarët e vendeve fqinjë me dezinformata të ndryshme.
“Unë punoj për media që vepron në tre shtete, Serbi, Bosnjë dhe Kroaci. Ka interesim të madh për atë që ndodh ën Maqedoni. nuk mendoj vetëm për senzacionalizmin, por keni edhe shumë tituj të papërgjegjshëm, ka media që nuk kanë as korrespodent këtu, ndërsa dezinformojnë se gjoja këtu ka luftë dhe frikësojnë njerëzit. Prandaj mendojmë se duhet të kemi raportime që do t’u qartësojnë qytetarëve tanë çfarë realisht ndodh këtu. Të gjithë jemi fqinjë dhe nuk është njëjtë për njerëzit tanë nëse dëgjojnë se këtu bëhet luftë, e dijmë se të gjitha vendet kanë një të kaluar të përbashkët dhe i lidh situata”, thotë Gordana Bjeletiç nga Televizioni N1.
Disa nga gazetarët dhe ekipet televizive thanë se në Shkup dhe qytete të tjera do të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë. Në fokus të tyre është edhe formimi i Qeverisë së re si dhe zhvillimet që do të shoqërojnë këtë proces.
Interesim i madh i medieve ndërkombëtare për… by tvshenjaofficial

