
Ministria e Arsimit dhe Komuna e Çairit heshtin për hapjen e lavazheve dhe bizneseve të tjera nëpër oborret e shkollave. Asnjëra nga këto institucione nuk zgjodhi që t’i përgjigjet pyetjeve të TV Shenja, të cilat ishin:
“1.A është e lejueshme që në oborret e shkollave të hapen lavazhe dhe nëse jo pse keni lejuar që në shkollat fillore “Adem Jashari” dhe “Rajko Zhinzifov” dhe shkollën e mesme “Cvetan Dimov” të hapen lavazhe dhe biznese të tjera private?
2.A do të ndërmerrni masa për mbylljen e të njejtave?”
Sipas Ligjit për arsim të mesëm, mjetet për financimin e arsimit të mesëm publik sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë, në mënyrë dhe në bazë të procedurës me Ligjin për buxhetet e Republikës së Maqedonisë, Ligjin për realizimin e Buxhetit dhe Ligjin për financimin e njësive të Vetëqeverisjes Lokale.
“Shkollat publike mund të marrin mjete edhe nga:
-participimin e shfrytëzuesve të shërbimeve;
-shitjes së produkteve dhe shërbime të cilat janë rezultat i kryerjes së aktiviteteve bazike;
-shoqatave tregtare, ndërmarrjeve publike, institucione dhe organe të udhëhequra nga shteti në të cilat realizohet trajnim praktik për nxënësit;
-projekte të miratuara nga ministri;
-interesi dhe dividenda e mjeteve të plasuara;
-donacione, dhurata, trashëgimi dhe
-burime të tjera”
Më tej në ligjin e lartpërmendur qëndron se mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni do të dedikohen për avancimin, modernizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë në shkollat publike për çka i dorëzohet raport ministrisë, përkatësisht organit kompetent të njësisësë vetëqeverisjes lokale.Mënyrën e marrjes dhe ndarjes së mjeteve nga paragrafi 1 alinea 1,2 dhe 3 e këtij neni i rregullon ministri, me propozim të Byrosë dhe Qendrës për arsim profesional dhe trajnim, ndërsa mënyrën e ndarjes së mjeteve për projektet nga paragrafi 1 alinea 4 të këtij neni i përcakton ministri.
Në oborret e shkollave fillore “Adem Jashari” dhe “Rajko Zhinzifov” dhe shkollën e mesme “Cvetan Dimov” të cilat ndodhen në territorin e Komunës së Çairit janë hapur lavazhe për larje makinash dhe tapetash, dyqan për shitjen e luleve dhe për shitjen e materialeve ndërtimore.
Teuta Buçi /SHENJA/
Institucionet heshtin për lavazhet në oborret e… by tvshenjaofficial