Maqedonia e Veriut ishte ndër dy shtetet e vetme që votuan kundër mëvetësimit të Palestinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Votimi në këtë formë ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Deputetja e koalicionit VLEN Imërlije Saliu ka kundërshtuar hapur këtë votim dhe për të njëjtën ka kërkuar sqarim nga Qeveria. Sipas Saliut, duke u rreshtuar kundër shumicës dërrmuese, vendi ynë duket se shpërfill të drejtën e vetëvendosjes dhe nevojën për t’i dhënë fund pushtimit Izraelit.
IMËRLIJE SALIU, DEPUTETE E VLEN-IT
‘’E gjykoj si gjenocid atë që ndodhë në Palestinë, unë si deputete e Kuvendit të RMV distancohem nga një vendim i tillë i Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e këtij gjenocidi, votimin kundër e shohë si shqetësim serioz në qëndrimin e vendit tonë ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut. Qeveria duhet të shpjegojë këtë votim të paprecedentë dhe të rishqyrtojë pozicionin e saj’.
Ndërkaq, dy ditë më parë deputetët e ‘Levicës’, kërkuar organizimin e një debati lidhur me gjenocidin dhe njohjen e Palestinës si shtet të pavarur nga ana e Maqedonisë së Veriut.
BORISLLAV KRMOV, DEPUTET I LEVICËS
“E Majta ka dorëzuar në Kuvend, deklaratë për njohjen e shtetit të Palestinës që nga 8 nëntori i vitit 2024, pra para 5 muajsh. Për fat të keq, edhe pse pretendojmë se i kemi debllokuar punën e Kuvendit me procesin ‘Zhan Mone’, kërkesa jonë mbetet 5 muaj e bllokuar në mënyrë permanente në Komisionin për Punë të Jashtme, komision të cilin e drejton Musa Xhaferi nga BDI. Veç asaj që e shkelim rregulloren, dua të pyes vetëm një gjë, a kemi ne pak ndërgjegje në këtë Kuvend?”
Kjo nuk është hera e parë që Maqedonia e Veriut voton në favor të Izraelit dhe kundër interesave të popullit palestinez, një gjë të tillë e ka bërë edhe në tetor të vitit 2023 duke votuar përmbajtur për miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. RMV-ja kishte abstenuar edhe në vitin 2024 në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në të cilën kërkohej që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Para pak ditësh Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi dy rezoluta të paraqitura nga Shteti i Palestinës, duke riafirmuar paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në territorin e pushtuar palestinez, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe duke përsëritur të drejtën e Palestinës për vetëvendosje. Vetëm RMV dhe Çekia votuan kundër.
Mevludin Imeri /SHENJA/