Kemi ardhur në një pikë, kur ka dështuar “institucionalizmi”, demo-nacionalizmi dhe enverizmi integrist dhe përfundimisht ka ardhur koha të kërkohet opsioni autentik dhe autokton i shqiptarëve të Maqedonisë. Kështu shkruan nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, në shkrimin e tij të botuar në numrin e ri të revistës SHENJA.
“Institucionalizmin”, Ibrahimi e tipizon me Partinë për Prosperitet Demokratik, për të cilën thotë se ndonëse ishte nisur si lëvizje e popullit, por inkuadrimi i një pjese të ish nomenklaturës së Partisë Komuniste si dhe akomodimi i eksponentëve të kësaj partie me pushtetin dhe shkëputja nga populli, sollën fundin e kësaj partie.
Demo-nacionalizmin, Ibrahimi e personifikon në Partinë Demokratike Shqiptare, për të cilën Ibrahimi thotë se nisi si një përpjekje për të ndërtuar një projekt politik nacionalist, por që përfundoi me “partneritet strategjik” me VMRO-DPMNE-në.
Për këto projekte, si dhe për enverizmin integrist, të personifikuar me BDI-në, Ibrahimi thotë se nuk kanë arritur që të kapin indin e vërtetë shqiptar. Enveristët, shkruan Ibrahimi, nuk kanë mundur të jenë imunë ndaj vlerave evropiane, dhe e ridizajnuan ideologjinë enveriste me integrimin evropian.
“Dështimi për integrimin evropian, si dhe energjia e konsumuar e suksesit të UÇK-së, që po ashtu është shpenzuar krejt, janë shenja se kjo parti qëndron në skenë vetëm falë klientelizmit, lidhjeve biznesore dhe afariste, andaj në çastin që nuk do të ketë pushtet, as ajo nuk do të mbetet si strukturë politike. Këtë, veç tjerash, e dëshmuan edhe zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016. Paraqitja e një opozite serioze e përgjysmoi këtë parti, ndërsa projeksionet janë se në zgjedhjet ardhme ajo mund të mbetet parti minore”, shkruan Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes BESA.
Si pasojë, Ibrahimi thotë se përfundimisht ka ardhur koha të kërkohet opsioni autentik dhe autokton i shqiptarëve të Maqedonisë, pa opsione të imponuara.
“Sipas meje, ky është një shqiptar konservator, familjar, religjioz, rëndom i djathtë, i shtresës së varfër ose mesme dhe, mbi të gjitha, antikomunist. Dhe, nëse duam që ta ndërtojmë një nacionalizëm autentik shqiptar mbi këto parametra, kjo nënkupton se duhet projektuar edhe një shqiptari autentike, që megjithëse mund të dallojë nga ‘shqiptaria shtetërore dhe europiane’ në Shqipëri dhe ‘shqiptaria kosovare a amerikane’ në Kosovë, ajo do të jetë një shqiptari me vlerat e saj autoktone”, ka shkruar mw tej Ibrahimi.
Ky nacionalizëm shqiptar, përfundon Ibrahimi, do të kërkojë barazinë mbi bazë të autoktonisë shqiptare në këto troje, e jo për arsye të konventave e as për shkak të përqindjes së popullsisë. Ibrahimi thotë se shqiptarët në këto troje kanë qenë prej se mbahen mend dhe askujt nuk mund t’ia lejojnë të diskriminohen në asnjë bazë.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Ibrahimi: Në kërkim të autentikes dhe autoktones by tvshenjaofficial