I ftuari i mbrëmshëm në emisionin “Arena”, nënkryetari i Lëvizjes Besa, Zeqirja Ibrahimi deklaroi se ka mbaruar koha kur partitë shqiptare funksiononin si degë të partive maqedonase. Tashmë sipas tij, ka parti autoktone që përfaqëson interesat shqiptare, siç është Lëvizja Besa. Kështu ai e arsyetoi vendimin e Lëvizjes Besa që t’i thotë “JO” Zoran Zaevit, në tentimin për ta imponuar Talat Xhaferin si kandidat të përbashkët për kryetar Kuvendi.
“Është jo vetëm utopike, por është edhe naive, për të mos thënë se ka edhe nuanca të tradhtisë ndaj atyre votuesve shqiptarë që e votuan LSDM-në, që sot t’u ofrohet për kryetar i Kuvendit kaq i devotshëm i Nikolla Gruevskit, siç është Talat Xhaferi. Mua më vjen keq që sonte ata shqiptarë janë shumë të zhgënjyer, për faktin e thjeshtë se ata kanë votuar LSDM-në që ta rrëzoj çiftin e keq i cili e solli këtë krizë, pra VMRO-në dhe BDI-në, dhe si peshqesh për këtë sakrificë sot e kanë marrë lajmin se kryetari i Kuvendit bëhet Talat Xhaferi”, tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi.
Në lidhje me propozimin që Talat Xhaferi të jetë kryetar i Kuvendit, Ibrahimi tha se ata si parti, nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve ku Xhaferi është propozuar si emër për të qenë kryetar i Kuvendit. Sipas tij, atyre u është imponuar nga LSDM, BDI dhe ‘Aleanca për shqiptarët’ që të pranojnë një propozim të tillë.
“Ne në bisedimet me LSDM e kemi shtruar këtë çështje dhe kemi ofruar kandidatë i cili nuk do të jetë me të kaluar, i cili nuk ka qenë argat i Nikolla Gruevskit dhe i cili nuk përfolur për asnjë aferë të krimit korrupsionit ose skandaleve të tjera. Dhe kur ata e sjellin gatshëm një propozim të tillë, atëherë edhe ne jemi të detyruar që të deklarohemi rreth atij propozimi. Ajo që ne e thamë dje besoj se ka qenë mjaft e qartë për qytetarët. Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të mashtrohen se me këtë propozim po propozohet një shqiptarë për kryetar të Kuvendit dhe këtë ta gëlltisin se është një hap, gjoja historik i shqiptarëve”, theksoi Ibrahimi.
Gjithashtu, Ibrahimi tha se shqiptarët duhet që përfundimisht të shkëputen nga mendësia se nëse nuk je me Nikollën, je me Zoranin” dhe ai tha se Besa nuk do të jetë degë e ndonjë partie maqedonase dhe nuk do të marrë vendime për t’i pëlqyer partive maqedonase.
Emine Ismaili /SHENJA/