BDI nuk më është parti e shumicës së shqiptarëve të Maqedonisë. Kështu është shprehur Zeqirija Ibrahimi, bartës i listës në njësinë zgjedhore numër 1 i koalicionit “Rilindje me BESË”. Ibrahimi shtoi se tubimet e deritanishme të koalicionit ‘Rilindje me BESË’ kanë treguar se BDI-ja nuk është më forca e parë shqiptare në Maqedoni.
“U bë njëfarë asociacioni spontan mes tubimit që ata e patën dhe tubimit tonë që besoj ishte edhe një moment i ri të shihet se cila është forca e re fituese e shqiptarëve të Maqedonisë”, tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Ai tha se kjo situatë ka tërbuar BDI-në, e cila tani më po sillet në mënyrë të përçartur dhe përbindëshe duke përdorur edhe forcë fizike. Ibrahmi denoncoi se ditë më parë në fshatin Nikushtak është sulmuar anëtari i kryesisë qendrore të BESËS, Kastriot Rexhepi, si dhe tre aktivistë të tyre.
“Jo më larg se dje ka ndodhur një incident që në një institucion shtetëror disa eksponentë të BDI-së, së Çairit, të njohur për veprimtarinë e tyre të dhunshme, kanë shkuar dhe i kanë rrahur tre administrator shqiptarë në zyrën e drejtorit”, theksoi Ibrahimi.
Duke u përgjigjur për akuzat për financat e tyre, Ibrahimi tha se nuk duhet pasur dert ngase paratë e tyre nuk janë para të “Maxhar Telekomit”, apo para të vjedhura nga tenderët.
“Thjesht janë para që janë akumuluar prej njerëzve vullnetarë, njerëzve të mërgatës shqiptare në Evropë dhe Amerikë, të cilët aq më tepër e shohin suksesin e madh të BESËS dhe janë duke e ndihmuar në mënyrë që ka qenë e befasishme edhe për neve”, tha nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Lidhur me përdorimin e termit “euro-aziatik” nga disa përfaqësues të BDI-së por edhe nga disa opinionistë, por të cilët nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim të saktë, Ibrahimi tha se me strategjinë e tyre për zhvillimin e arsimit do të mësojnë atyre saktë se çfarë nënkupton termi Euro-Aziatik dhe Aziatik.