Zëvendës ndihmës sekretari i departamentit amerikan përgjegjës për Europë dhe Euroazi, Hojt Brajan Ji, po qëndron për vizitë dy ditore në Shkup. Edhe pse ai paraprakisht pati paralajmëruar vizitën e tij për më datë1 maj, arriti një ditë më herët. Takimet i filloi me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, të BDI-së, Lëvizjes BESA, Aleancës për Shqiptarët dhe PDSH-së.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me Hojt Brajan Ji, ka thënë se vizita e tij është një përkrahje morale që i bëhet vendit. Ahmeti tha se Ji ka qenë shumë i qartë duke thënë se vendit i duhet stabilitet dhe zhvillim të proceseve në rrugë të mbarë deri në funksionimin e institucioneve.
“Sigurisht kthim pas nuk ka. Gjitha këto zhvillime nëse ne nuk ndërgjegjësohemi, nuk vetëdisohemi sigurisht se do të pësojnë gjithë qytetarët e Maqedonisë, prandaj, duhet pranuar ky realitet i ri: zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, të mbështetet edhe nga ato forca që kontestojnë zgjedhje e Xhaferit si kryetar të parlamentit, sepse zgjedhja është bërë në rrugë legale dhe legjitime”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti shtoi se duhet të vazhdojnë të komunikojnë edhe me VMRO-DPMNE-në, për shkak se siç tha ai, të dyja janë forca politike të një vendi, dhe duhet që vendi të futet në binarë dhe në rrugë të mbarë.
Ndërkaq, nga Lëvizja BESA, pas takimit me diplomatin amerikan Hojt Ji, nëpërmjet një komunikate informuan se në takim është biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend. Në komunikatë thuhet se përfaqësuesit e BESËS e kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj deputetëve në Kuvend dhe kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike.
“Përfaqësuesit e Besës e kanë njoftuar zyrtarin e lartë për rolin konstruktiv që ka luajtur Besa në gjithë këtë proces dhe për angazhimin e saj në zhbllokimin e këtij ngërçi politik. Me këtë rast Lëvizje BESA ka theksuar se ajo mbetet e përkushtuar në zgjidhjen e krizës, duke bërët hirrje që të respektohet vullneti i shumicës, që sa më shpejt të vihen në funksion institucionet e shtetit dhe kështu të fillojë realizimi i reformave të domosdoshme që do ta rikthenin vendin në agjendën euro-atlantike”, thuhet në kumtesën e Lëvizja BESA.
Ndërkaq, takim me diplomatin amerikan kanë realizuar edhe përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët, Vesel Memedi dhe Arben Taravari, si dhe ata të Partisë Demokratike Shqiptare.
Ashtu siç njoftojnë nga Ambasada e SHBA-së, nesër do të vazhdojnë takimet me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, si dhe me kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferin dhe presidentin e shtetit Gjorge Ivanov.