Ministria e Brendshme akoma nuk ka informacione rreth trupit të pajetë të gjetur në Luboten të Shkupit. Trupi i pajetë, i cili u gjet i djegur, është dorëzuar për kryerjen e ekspertizave të nevojshme. Nga Ministria e Brendshme sot vetëm u përgjigjën shkurt se hetimi po vazhdon dhe nuk ka informacione të reja përveç njoftimit fillestar në buletinin policor një ditë më parë.
Më 3 gusht 2017 në orën 23 e 30 minuta, në sektorin për raportim dhe komandim Shkup, është raportuar se në fshatin Luboten është ndezur një mexhe livadhi. Është dalë në vendin e ngjarjes, zjarri është fikur, ndërkaq në mexhe është gjetur një trup njeriu i djegur. Në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi policor nga Sektori për punë të brenshme Shkup, ndihma urgjente mjeksore dhe prokurori publik kujdestar nën urdhërin e të cilit trupi është dorëzuar për obduksion. Po punohet për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin zyrtar të MPB-së.
Ekspertizat që po kryhen duhet të vërtetojnë identitetin e trupit si dhe rrethanat e vdekjes. Në mungesë të të dhënave zyrtare, jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për trupin e një gruaje, ndërsa dyshohet se vdekja e saj ka ardhur në mënyrë të dhunshme. Trupi i djegur u gjet derisa autoritetet intervenuan për të shuar zjarrin në një lëndinë në fshatin Luboten në afërsi të Shkupit. Informacionet fillestare thonë se djegia e këtij trualli nuk lidhet me zjarret nëpër pyje me të cilat po përballet vendi tashmë disa ditë. /SHENJA/
Hetohet trupi i djegur i viktimës që u gjet në… by tvshenjaofficial

