Pesë organizata mediatike nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Kroacia dhe Serbia shprehën mbështetje për gazetarët nga Maqedonia, për të cilët thanë se po u bëhet sulm i orkestruar nga politika. Përfaqësuesit e gazetarëve të këtyre shteteve thanë se probleme të tilla, ka në të gjithë rajonin, por Maqedonia është rasti më serioz në të cilin në mënyrë të orkestruar gazetarët rrihen, dëbohen, sulmohen fizikisht dhe psiqikisht.
“Ne jemi këtu për të dhënë mbështetje edhe juve që qëndroni pas kamerave, edhe jvue që mbani mikrofonat, dhe shpresojmë se kjo do të jetë nisma e solidaritetit mes gazetarëve nga hapësira e Ish Jugosllavisë të cilët janë viktimë e sulmeve brutale fizike teksa kryejnë detyrën e tyre profesionale”, tha Borka Rudiç nga Shoqata e gazetarëve të Bosnjës .
Ata u bënë apel autoriteteve të Maqedonisë, që të mbrohen gazetarët në mënyrë që ta kryejnë detyrën e tyre të garantuar edhe me Kushtetutë pasi që kjo do të flet për imazhin e Maqedonisë si shtet. U përmendën një sërë sulmesh ndaj gazetarëve që janë bërë në Maqedoni gjatë javëve ose muajve të fundit, duke kujtuar sulmet ndaj ekipeve televizive në protestat pro-qeveritare.
“Ne e dimë se situata në Maqedoni është jashtëzakonisht e keqe pasi ka sulme të orkestruara. Kemi parë edhe sulme fizike që kanë tejkaluar përmasat. Ne si rrjet e kemi parë të arsyeshme të dalim në mbrojtje të komunitetit të gazetarëve. Rajoni është duke pësuar një krizë të thellë sa i përket tendencave për të kushtëzuar lirinë e shprehjes dhe ne do të jemi gjithmonë së bashku për të mbështetur kolegët nga i gjithë rajoni”, tha Shkëlqim Hysenaj nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës.
“Në të gjithë rajonin situata është e keqe sa i përket sigurisë së gazetarëve,por nëse duhet të bëjmë ndonjë krahasim, vlerësoj se në Maqedoni situata është më e keqe dhe kjo dëshmohet edhe me statistikë, por edhe mënyrën se si janë sulmuar gazetarët. Sipas asaj që e kemi parë dhe jemi informuar, këto sulme janë të orkestruara. Këto nuk janë sulme të thjeshta, kemi parë tentativa për ti hyrë njeriut në banesë, i kanë pshtyrë në restoran e kështu me radhë dhe kjo është e rrezikshme pasi duket se është e organizuar”, tha Sasha Lekoviq nga Shoqata e Gazetarëve Kroat.
Ndërkohë, nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisëka bërë apel për ndërprejen e dhunës në mënyrë që të parandalohet më e keqja.
“Kjo valë e dhunë duhet të ndërpritet sa nuk është bërë vonë. Në Maqedoni kanë ndodhur të gjitha format e presionit dhe mos dhashtë Zoti të na ndodhë edhe më e keqja. Prandaj jemi këtu bashkë që ti paralajmërojmë institucionet që të mos lejojnë të ndodhin sulme edhe më të rënda kundër gazetarëve me pasoja të paparashikueshme”, tha kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Gazetarët apeluan edhe deri tek institucionet ndërkombëtare që tu bëjnë presion autoriteteve të Maqedonisë që të pengojnë dhunën në të ardhmen dhe të zbardhin rastet e dhunës gjatë periudhës së kaluar. “Çdo sulm kundër gazetarëve është sulm kundër interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të gjithë qytetarëve”, vlerësojnë gazetarët nga rajoni.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Gazetarët e rajonit në mbështetje të kolegëve… by tvshenjaofficial