Komisioni parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini vazhdon të jetë pa kryetar, pasi që ish kryetarja, Ilire Dauti dha dorëheqje, ndërkaq, Fronti Evropian u deklarua se nuk do të propojnë kandidat tjetër. Kryeparlamentari Afrim Gashi sqaroi sot në brinfing për gazetarët se, ai nuk ka kompetenca për të propozuar kandidat, pasi propozimet duhet të bëhen me marrëveshje mes grupeve parlamentare. Sipas tij, nëse Fronti Evropian nuk propozon kryetar të Komisionit në vendin e Dautit, atëherë ai ka të drejtë të caktojë një deputetët që t’i udhëheqë seancat.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Komisioni nuk merret, për shkak se ka një ndarje xhentelmene, kur është bërë ndarja në fillim, është caktuar që atë komision ta udhëheqë fronti evropian. Ata mund të propozojnë në çdo moment kryetar deri te komisioni për zgjedhje dhe emërime, nëse nuk propozojnë, mbetet e hapur çështja por, për të mos u bllokuar puna, unë në cilësi të kryetarit të Kuvendi, vetëm propozojë kryesues të pikave të caktuara të ligjeve të cilat duhet të kalojnë në atë komision”.
Në këtë brifing, Gashi foli edhe për reformat në Këshillin Gjyqësor. Ai tha se mosmiratimi i raportit vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor ka hapur çështjen që Kuvendi t’i shkarkojë ato pesë anëtarë të Këshillit që janë zgjedhur nga deputetët. Megjithatë, ai shtoi se, ndryshimet ligjore që do të mundësojnë atë, do t’i sjellin me konsultime të gjëra, për të mos shkelur dispozitat e Kushtetutës dhe rregullores.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Sa i përket reformës në Këshillin Gjyqësor ne mendojmë se është një çështje komplekse dhe është pjesë e një pakoje të një procesi reformues në gjyqësi, në tërësi, prandaj sa i përket këtyre reformave ne po mendojmë që të jemi më të kujdesshëm, të gjejmë një zgjidhje më përmbajtësore dhe më afatgjate dhe prandaj jemi në konsultim edhe me ekspertë edhe me institucionet që kanë të bëjnë me këtë çështje”.
Kujtojmë se, Këshilli Gjyqësor në seancën e së mërkurës, nuk miratoi Planin vjetor për furnizime publike për vitin 2025, pasi kishin vërejtje se nuk përbën mjete të mjaftueshme për Këshillit gjyqësor. Sa i përket shkarkimit të anëtarëve, kryetari i këshillit, Aleksandar Kambovski tha se nuk ka bazë ligjore për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe se nuk është ide e mirë të shkarkohen kolektivisht organet kolektive. Por, kryeministri, Hristijan Mickoski tha se, është e palogjikshme, ai që i zgjedhë të mos mund t’i revokojë, posaçërisht në kushte kur nuk ua pranon raportin për punën.
Teuta Buçi /SHENJA/