Pas incidentit të djeshëm në Kuvend, ku ministrja e Financave ofendoi në bazë personale deputeten e LSDM-së, Sllavjanka Petrovsken, kryeparlamentari Afrim Gashi i ka bërë thirrje Qeverisë që të jetë e kujdeshme se si sillet në Kuvend ndaj deputetëve dhe të mos shfrytëzojnë foltoren e Kuvendit për fyerje. Gashi tha se, si kryeparlamentar, çdoherë bën thirrje për ngritjen e kulturës politike, sjelljes dhe respektimit të kodit etik mes deputetëve.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Ne mund të shprehim pikëpamjet tona politike pa ofenduar askënd. Bëj thirrje, siç kam thirrur gjithmonë dhe do t’i bëj thirrje të gjithë deputetëve që t’i përmbahen kodit të etikës. Tashmë jemi duke diskutuar miratimin e një kodi të ri etik që duam ta përmirësojmë dhe që të gjithë të pranojnë respektimin me konsensus dhe mendoj se të gjithë do të punojmë për të përmirësuar dhe rritur kulturën politike. Ngjarje të tilla nuk janë të hijshme, nuk janë të mira për Parlamentin, nuk flasin mirë për ne. Shpresoj që incidente të tilla të mos ndodhin më”
Në lidhje me interpelancat ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ai tha se ato do të jenë në rend dite në fillim të muajit mars. Sa i përket procedurës për shkarkim të kryeprokurorit ai tha se, nuk kanë marrë edne asnjë propozim nga Qeveria.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Interpelancat janë dërguar deri te anëtarët e Këshillit Gjyqësor ata kanë dhënë përgjigjet e tyre në afatin e përcaktuar dhe tani së shpejti nga Kuvendi do t’i dërgojmë të gjitha këto përgjigje deri te deputetët dhe besojmë që brenda muajit mars besoj që java e parë ose e dyta të kemi në rend dite në seancë plenare çështjen e interpelancës së anëtrarëve të Këshillit Gjyqësor”.
Qeveria ditë më parë miraton në seancë propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit, Ljupço Kocevski, me arsyetimin se, ka paraqitur informacione dhe të dhëna të paautorizuara për lëndët gjyqësore dhe ka shkelur konfidencialitetin e procedurës, në mënyrë joprofesionale ka udhëhequr Prokurorinë Publike dhe ka dëmtuar reputacionin e Prokurorisë dhe ka bërë gabime të mëdha. Propozimi do t’i paraqitet Këshillit të Prokurorëve Publik për mendim, e më pas propozimi dorëzohet në Kuvend.
Teuta Buçi /SHENJA/