Situata politike në të cilën ndodhet Maqedonia, nuk do të mund të zgjidhet pa përfshirje direkte të ndërkombëtarëve. Kështu vlerëson politologu, Mitko Gagjovski, në intervistën e tij për REL. Ai thotë se periudha vijuese që e pret Maqedoninë është shumë e vështirë dhe vendi nuk ka fuqi që të zgjidh vet. Sipas tij, opinioni në vend ka qenë dëshmitar se, politikanët maqedonas nëse lihen vet të gjejnë zgjidhje për cilën do situatë nuk mund ta bëjnë atë.
“Shembull për këtë ishte Marrëveshja e Përzhinos e cila doli nën patronazhin e bashkësisë ndërkombëtare dhe e cila në njëfar mënyre duheshte të nxjerr vendin nga kriza. Një nga pikat kyçe ishte mbajtja e zgjedhjeve të lira, kredibile dhe ajo ndodhi, rezultatet u pranuan nga të gjitha partitë politike, megjithatë u ballafaquam me një problem i cili supozoj se as ata që janë garantues të Marrëveshjes së Përzhinos nuk e kanë pritur, ndërsa ajo është që në çdo mënyrë të mundshme të bllokohet formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Maqedonisë”, thotë politologu Mitko Gagjovski.
Duke komentuar vendimin e Ivanovit për mosdhënien e mandatit, ai ka thënë se është më se e qartë që presidenti Ivanov ka thyer Kushtetutën me atë që nuk i ka dhënë mandatin atyre që kanë siguruar 61 deputet në Kuvend.
“Këtë e bënë për të ndihmuar strategjinë që VMRO DPMNE e realizon në këtë moment, ndërsa ajo është që të mos lejoj që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike në zgjedhjet parlamentare të formojnë Kuvendin, ndërsa me këtë të formohet edhe Qeveria e re në Maqedoni. Vlerësoj se ky hap i presidentit Ivanov ka sjellur për thellimin e krizës në të cilën gjendet Maqedonia dhe gjithashtu vlerëson se me këtë hap, ai në njëfar mënyre është edhe bashkëpunëtor i gjithë asaj që ka ndodhur së fundmi”, thekson Gagjovski.
Ndërkohë, i pyetur në lidhje me mundësinë e vendosjes së sanksioneve nga ana e BE-së, ai është shprehur se ky do të ishte hapi i fundit të cilin do ta bënte bashkësia ndërkombëtare. Ndërsa, nëse ajo do të ndodhte, Maqedonia do të ngelte vet pa ndihmën e ndërkombëtarëve, si në aspektin politik ashtu edhe në atë financiar.
Teuta Buçi /SHENJA/
Gagjovski: Nuk zgjidhet kriza pa ndërhyrje… by tvshenjaofficial