Grupi Parlamentar i Frontit Europian i ka dërguar një letër formale katër instrumenteve kyçe të Këshillit të Europës, përmes së cilës kërkon një vlerësim urgjent dhe ekspertizë mbi siç thionë ata drejtësinë selektive pas tragjedisë në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj.
Letra i është adresuar Michael O’Flaherty, Komisioner për të Drejtat e Njeriut; Claire Bazy, Kryetare e Komisionit të Venecias; Livia Stoica Becht, Sekretare Ekzekutive e GRECO-s (Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit) dhe Theodoros Rousopoulos, Kryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
FRONTI EUROPIAN
“Në letër, deputetët shprehin shqetësim për hetimet politikisht të motivuara dhe skandaloze, të cilat kanë në shënjestër vetëm ish-zyrtarë, ndërsa funksionarët aktualë – të cilët kanë pasur përgjegjësi institucionale pothuajse gjatë gjithë vitit para tragjedisë – janë lënë jashtë çdo procedure”.
Letra thekson gjithashtu përfshirjen direkte dhe transaksionale të Kryeministrit në prokurori dhe në vetë hetimin, si dhe paradën publike dhe abuzimin gjatë arrestimit të një ish-ministri.
FRONTI EUROPIAN
“GP i Frontit Europian i kërkon Këshillit të Europës:
• Të dërgojë një mision të pavarur ekspertësh për të vlerësuar pavarësinë e hetimit;
• Të iniciojë një debat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës;
• Të kërkojë opinion nga Komisioni i Venecias për ndikimin mbi prokurorinë;
• Të angazhojë GRECO-n për të hetuar ndikimin politik mbi vendimet e prokurorisë”.
Deputetët theksojnë se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe nuk guxon të varet nga përkatësia politike. Sipas tyre drejtësia selektive e minon shtetin e së drejtës dhe e shkatërron besimin e qytetarëve në institucionet. /SHENJA/