Rikonstruimi i Qeverisë po hyn në fazën e parë dhe përveç ndryshimeve ministrore, ky operacion përfshin edhe emërime të reja në eshallonin e tretë të Qeverisë.
Zëvendëssekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, ka bërë të ditur se Drejtoria për Siguri të Informatave të Klasifikuara për herë të parë do të udhëhiqet nga një kuadër shqiptar. Florim Jaja është emëruar drejtor i ri, duke zëvendësuar Stojan Sllaveskin.
Murtezani e ka cilësuar këtë emërim si historik.
HASIM MURTEZANI, ZV/SEKRETAR I QEVERISË
“HISTORIKE! Drejtoria për Siguri të Informatave të Klasifikuara – Për herë të parë do udhëhiqet nga kuadër shqiptar!Urime, Florim Jaja”.
Ndryshime ka edhe në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Imer Aliu nga PDSH-ja është shkarkuar dhe në vend të tij, Qeveria ka vendosur që këtë post t’ia besojë Nakil Fetait. E pas emërimit, Fetai ka deklaruar se do ta ushtrojë funksionin me ndershmëri, profesionalizëm dhe transparencë, në mbrojtje të privatësisë së qytetarëve.
NAKIL FETAI, DREJTOR I AGJENCISË PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE
“Ky besim është një obligim i madh për të punuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe transparencë, në mbrojtje të privatësisë dhe të drejtave të qytetarëve. Me përgjegjësi të plotë dhe përkushtim pranoj detyrën si Drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
Këto janë vetëm hapat e parë të rikonstruimit. Më 24 dhjetor pritet shkarkimi i Orhan Murtezanit dhe emërimi i Bekim Salit si zëvendëskryeministër dhe ministër i Eurointegrimeve, si dhe i Muhamed Hoxhës si ministër i Ambientit.
Në vijim, Qeveria pritet të emërojë edhe drejtorë të tjerë, në pozitat e liruara nga ish-drejtues që tashmë janë zgjedhur kryetarë komunash.
Mevludin Imeri /SHENJA/


