Myslimanët në mbarë botën festojnë nesër festën e Kurban Bajramit, ndryshe është njohur edhe si Bajram i haxhive, sepse brenda ditëve të këtij bajrami kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë. Ndërkaq, me rastin e kësaj feste kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu ka uruar besimtarët myslimanë. Fetahu nëpërmjet mesazhit të Bajramit, ka porositur se, festa e Kurban Bajramit është një festë e madhe dhe e bekuar që ngërthen ngjarje hyjnore, të cilat janë burim frymëzimi për ngritjen e vetëdijes së besimtarit mbi dashurinë dhe përkushtimin ndaj Allahut Fuqiplotë.
Shaqir Fetahu, Kreytar i BFI-së
“Andaj, festa e Kurban Bajramit, nuk është thjeshtë një ditë feste, por është festë që edukon besimtarin të jetë bujar, fisnikëron shpirtin dhe zemrën, e bën pjesëmarrës në vepra të mëdha, e nxit të jetë solidar, të ndihmojë të varfrit dhe skamnorët, forcon lidhjet shpirtërore dhe shoqërore, nxit unitetin në të mirë dhe në vështirësi, dhe kultivon paqen, dashurinë e bashkëjetesën mes njerëzve, e gjithë kjo dëshmon se nuk është thjesht një veprim formal, por një ambijent i thellë shpirtëror, që mbjell në zemrën e besimtarit shkallën më të lartë të devotshmërisë, që është burimi i çdo të mire në jetën personale, familjare dhe shoqërore”.
Duke folur për rëndësinë e kësaj feste, Fetahu shtoi se, festa e Kurban Bajramit na përkujton domosdoshmërinë e respektit dhe harmonisë – kudo në botë.
Shaqir Fetahu, Kreytar i BFI-së
“Allahu Fuqiplotë thotë në Kur’anin Famëlartë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi i tyre, e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj.” Në kohën e sfidave të mëdha, kjo festë na kujton se është e domosdoshme të angazhohemi në eliminimin e problemeve me të cilat përballet njerëzimit, të zhdukim varfërinë dhe të mbjellim qetësinë dhe begatitë e jetës, të ngremë vlerat morale ndaj anomalisë së sotme;të promovojmë shpirtëroren në vend të egoizmit dhe gjelozisë;të përhapim paqen në vend të luftës dhe mizorive – siç po ndodh në botë, të vendosim dijen mbi injorancën dhe rendin mbi kaosin”.
Ndryshe, Myftinia e Shkupit ka njoftuar se, Manifestimi qëndror i Kurban Bajramit në Shkup do të mbahet në Xhaminë e Mustafë Pashës. Programi fetar do të fillojë në orën 04.40 ndërsa namazi i Bajramit do të falët në orën 05:39.
/SHENJA/