Grupi i Kumanovës u tradhtuan nga njerëzit më të afërt të tyre të luftës, ndërsa qëllimi i tyre nuk ishte lufta. Kështu u shpreh Dashurie Sefaj, bashkëshortja e Genci Sefajt, i arrestuar gjatë ngjarjeve në Kumanovë. Zonja Sefaj në emisionin ‘Arena’ shprehu ngushëllime për familjet e të gjithëve që humbën jetën në luftimet e 9 dhe 10 majit 2015, duke potencuar se qëllimi i atyre që i kanë sjellë pjestarët e grupit në Lagjen e Trimave, ka qenë vetëm eliminimi i tyre.
“Nuk e kishin qëllim primar luftën, mirëpo si duket u tradhtuan nga njerëzit që ata u besuan shumë, që mund të them lirisht nga bashkluftëtarët e tyre të vitit 2001 tek të cilët besuan verbërisht. Ata kishin si duket kontakt edhe me shërbimet sekrete maqedonase dhe erdhi deri tek ngjarja të cilën e dimë të gjithë”, thotë Dashurie Sefaj, bashkëshorte e Genci Sefajt.
Rozita Rexhaj, motra e Arben Rexhajt i cili ka marrë pjesë në luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, rrëfen se vëllai ka kontaktuar me familjen më 9 maj dhe u ka treguar për tmerrin që kanë përjetuar nga sulmi i forcave policore. Ajo thotë se grupi nuk ka pasur qëllim që të luftojë në Maqedoni. Zonja Rexhaj gjithashtu tha se vëllai i saj bashkë me tre shokë të tjerë janë takuar me një agjent të shërbimit sekret të Maqedonisë.
“Nuk dijë sa më lejohet, sa është në dëm të dikujt apo në dobi të dikujt, më doket se Shenasi është emri i cili më vjen ndër mend. Ka qenë komandant Malisheva dhe një shtetas maqedonas, i sigurimit të Maqedonisë”, thotë motra e Arben Rexhajt, Rozita Rexhaj.
Familjarët shprehen pesimistë sa i përket një procesi të drejtë gjyqësor për të arrestuarit e grupit të Kumanovës, ndërsa avokati Asmir Alispahiq thekson se mbrojtja gjatë dy viteve po mundohet të argumentojë se personat e akuzuar as nuk janë terroristë e as nuk janë pjesë e ndonjë grupi terrorist. /SHENJA/
Familjarët: Grupi i Kumanovës u tradhtuan nga… by tvshenjaofficial

