Një barakë dydhomëshe me mure të dëmtuara, me dritare dhe dyer që lehtësisht lëshojnë të ftohtin të futet brenda, janë shoqëruesit e familjes Ferati nga Hasanbegu. Një nënë e vetme që luan edhe rolin e babait, është 29-vjeçarja Hanumsha, e cila merr vetëm një ndihmë sociale 3000 denarëshe që nuk mjafton as sa për të siguruar kafshatën e gojës për pesë fëmijët e saj. Me këto kushte të rënda ekonomike, kryefamiljarja është detyruar që të punojë si pastruese për të siguruar kështu, mes tjerash edhe terapinë për njërin nga fëmijët i cili vuan nga sëmundja e asmës. Duke qenë se fëmijët ishin të vegjël, dhe pa një kujdestare që të kujdesej për ta derisa ajo punonte, ajo u detyrua që të njëjtit t’i regjistrojë në shkollë akoma pa e mbushur moshën e përcaktuar për arsimin fillor.
“Un marr një ndihmë sociale prej 3000 denarëve, punoj nga pak kur më thirrin gratë nëpër shtëpia me pastruar. Dimri ftohtë, fëmija kërkojnë për të ngrënë. Një fqinj u ka blerë fletore çanta, fletore, lapsa..”, thotë kryefamiljarja Hanumsha Ferati.
Kryefamiljarja, tha se gjendja e barrakës që atyre u shërben si shtëpi, ka qenë thuajse gjithmonë e keqe, megjithatë vërshimet e gushtit e kanë bërë atë një vend gati të pa banueshëm. Ajo tha se pas vërshimeve nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti, ndërkaq për ta tejkaluar situatën e rëndë u është ofruar në ndihmë kryqi i kuq, organizatat humanitare si dhe njerëzit humanë.
“Sidomos e kam të sëmurë djalin pres asmës, tek ai ndikon shumë pluhuri. Nuk janë dyert e izoluara, dritaret”, tregon kryefamiljarja Ferati.
Zonja Hanumsha, u bëri thirrje njerëzve human, që t’i dalin në ndihmë asaj, me qëllim që të mund që fëmijët të kenë se çfarë të hanë, si dhe të mund të ndjekin mësimet me mjetet e nevojshme shkollore. Rinovimi i shtëpisë që do t’u mundësonte një jetë normale kësaj familjeje si dhe drutë për ngrohje, janë gjërat për të cilat ata më së shumti kanë nevojë tani.
Ajnur Bafqari /SHENJA/