Ndonëse është traditë ndërkombëtare që 1 maji, dita ndërkombëtare e punëtorëve, të shoqërohet me protesta për plotësimin e kërkesave dhe përmirësimin e kushteve të punës për të punësuarit, në Maqedoni është traditë në këtë ditë të dilet në piknik. E një ndër vendet më të preferuara për këtë, është parku i Sarajit. Krahasuar me vitet e kaluara, numri i qytetarëve që kishin dalë në piknik ishte dukshëm më i ulët. Por, ajo që nuk kishte ndryshuar nga vitet e kaluara, janë kushtet infrastrukturore. Tualetet, ngjashëm si edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit ishin të mbyllura me dry, akoma mungojnë lodra dhe rekuizita për fëmijë, përpos atyre që tradicionalisht sillen enkas për një maj nga pronarë privatë. Qytetarët nuk janë të habitur me të gjitha këto, duke akuzuar autoritetet për mungesë të investimeve në infrastrukturë.
“Po, kemi dalë, ama kurrsesi nuk vlen. Ne e dëgjojmë Koce Trajanovskin që thotë se gjithçka është në rregull, po së pari këtu nuk shoh asnjë tualet që ka afër. Për fat të keq asgjë s’ka në rregull. Me vite po ndodh kjo”, thotë njëri nga qytetarët.
“Sa erdhëm edhe ne, nuk dimë asgjë. Sa arritëm dhe nuk e dimë a punojnë tualetet apo jo. Po këtu kur ka qenë në rregull?! Kurrë nuk ka qenë në rregull”, thotë një qytetar tjetër.
E për daljen më të ulët të qytetarëve në piknik, qytetarët thonë se për këtë, ka ndikuar situata e tensionuar e sigurisë.
“Po normal se ndikon se ka ndikuar, u pa se çka u bë. Njerëzit frikohen të dalin, s’duan t’ju hynë problemeve”, thotë njëri nga qytetarët.
Mungesa e investimeve në infrastrukturë, e bën që ky lokacion të mos jetë atraktiv edhe për investitorët privatë, kështu që në të, nuk ka asnjë restorant të vetëm. Ndryshe, kohë më parë kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, paralajmëroi investim të ri në vlerë prej 6.5 milion euro për modernizimin e parkut të Qytetit. Sipas planit, janë paraparë që në parkun e Qytetit të ndërtohet infrastrukturë e re dhe të vendosen rekuizita të reja argëtuese.
Edhe sivjet 1 Maji kalon me piknikë, mungojnë… by tvshenjaofficial