Një rast tronditës shantazhi dhe torture psikologjike ka ndodhur në një shkollë fillore në Shkup. Një nxënëse e shkollës fillore nga lagjja Bit Pazar e Shkupit ishte viktimë e shantazhit sistematik nga shokët e saj të klasës. Dy të mitur gjatë kohë e kërcënonin atë se do të sulmonin vëllain e saj më të vogël, një fëmijë me probleme shëndetësore, nëse ajo nuk do t’i jepte para.
Nga frika dhe nën presion të vazhdueshëm psikologjik, e mitura merrte vazhdimisht para nga shtëpia e saj. Shuma totale që ajo u dorëzoi shokëve të klasës arriti në 25,000 euro, gjë që pati pasoja të rënda për buxhetin e familjes.
Rasti u raportua në polici nga babai i saj, një banor 52-vjeçar i Shkupit, të premten pak pas mesnatës. Sipas policisë, kërcënimet dhe shantazhi zgjatën për një periudhë të gjatë kohore.
MPB
“Në orën 00:30 në SPB-Shkup, një 52-vjeçar nga Shkupi ka raportuar se vajza e tij e mitur, nxënëse e një shkolle fillore në zonën e Bit Pazarit të Shkupit, për një kohë të gjatë kërcënohej nga dy shokë të klasës se do ta sulmonin fizikisht vëllain e saj të vogël, i cili ka probleme shëndetësore, nëse nuk u jepte para. Sipas denoncimit, ajo në disa raste u detyrua t’u jepte para, duke i marrë nga shtëpia gjithsej 25 mijë euro”.
Ministria e Brendshme njoftoi se po merren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Prindërit e fëmijëve janë gjithashtu të përfshirë, si dhe shërbimet profesionale në shkollë. /SHENJA/