Komuniteti rom në mbarë botën sot shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Bëhet fjalë për një kremtim të historisë rome, traditave dhe kulturës, por njëkohësisht shërben për të bërë thirrje për përfshirjen e tyre sociale. Burimet historike thonë se kjo përkatësi etnike ka emigruar nga nënkontinenti indian, ndërsa në Ballkan dhe Evropën Qendrore kanë mbërritur rreth shekujve 13-14, mirëpo ardhja e tyre nuk u prit mirë. Popullsia rome është e shpërndarë në pothuajse të gjitha vendet evropiane. Sipas disa studiuesve vendi me popullsi më të mëdha rome në Evropë është Rumania me rreth 2 milion romë. Ndërkohë, në Republikën e Maqedonisë jetojnë rreth 80 mijë romë, shumica e të cilëve në pjesën lindore të vendit dhe në Shkup. Ndryshe nga vendet tjera të Ballkanit, në periferi të kryeqytetit të Maqedonisë ndodhet Komuna e vetme rome në Evropë, Shuto Orizari, në të cilën 80 përqind e banorëve janë të përkatësisë rome.
Kryetar i parë i kësaj komune rome i cili u zgjodh në vitin 1996, ndërsa aktualisht është ministër paresor, përgjegjës për çështjen rome në Qeverinë e Maqedonisë, Nexhdet Mustafa, për AA ka deklaruar se popullsia rome në Maqedoni nuk është e kënaqur me statusin e saj ekonomik. Mirëpo, Mustafa konsideron se viteve të fundit ka ndryshime pozitive tek popullsia rome.
Ndërkohë, me rastin e kësaj dite, Komiteti i Helsinkit ka shfaqur nevojën për afirmimin e problemeve me të cilat përballët ky komunitet në Maqedoni.
Nëpërmjet një komunikate nga ky komitet kanë thënë se romët janë pjesë integrale e shoqërisë së Maqedonisë dhe si të tillë ata do të duhet t’i gëzojnë të drejtat e njëjta me qytetarët tjerë të vendit.
“Komiteti Helsinkit është i shqetësuar nga numri i madh i nxënësve romë të cilët po braktisin shkollat në qytet për të mësuar në gjimnazin e hapur në lagjen Shuto Orizarë, ndërkohë që janë të shqetësuar edhe nga planet për ndërtimin e një pishine në të njëjtën lagje, me kosto prej 600.000 euro, pavarësisht se ka mungesë të një kanalizimi dhe ujësjellësit funksional në lagje”, thonë nga komiteti i Helsinkit,
Komiteti i Helsinki nënvizon se banorët e lagjes përballen edhe me probleme në lëmin e shëndetësisë, sepse tërë ajo popullatë nuk ka një gjinekolog lokal.
Teuta Buçi /SHENJA/
Dita ndërkombëtare e romëve, romët të pakënaqur… by tvshenjaofficial

