Kodra e Diellit u zgjua e mbuluar nga një shtresë e bardhë bore prej 26 centimetra, duke vijuar kështu edhe në Mavrovë me një lartësi të borës prej 12 centimetrave. Bora po ashtu ka përfshirë edhe zona të tjera malore si në Lazaropole ku shtresa e borës është 16 centimetra, 6 centimetra në Gjurishtë dhe tre centimetra në Dibër. Temperaturat kanë zbritur deri në -4 gradë celsius, duke e bërë këtë fillim tetori të duket si ditë e mesit të dimrit.
Sipas të dhënave nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike, përveç borës, vendi është përfshirë edhe nga reshje të dendura shiu – më së shumti në Strumicë me 52 litra për metër katror, si dhe në Gjevgjeli e Demir Kapi me mbi 50 litra.
DREJTORIA PËR ÇËSHTJE HIDROMETEOROLOGJIKE
“Më shumë reshje në 24 orët e fundit ka pasur në Strumicë, 52 litra për metër katror, në Gjevgjeli 51, 50 në Demir Kapi, 47 në Shkup-Petrovec, 46 në Tetovë, 32 në Shtip, 31 në Veles, 25 në Prilep, 23 në Krushevë dhe Berovë”.
Meteorologët paralajmërojnë mot të ndryshueshëm, me reshje të herëpashershme shiu e bore, sidomos në zonat malore, ndërsa era veriore pritet të fryjë mesatare deri në të fortë. Temperaturat ditore do të variojnë nga 3 deri në 11 gradë, ndërsa në Shkup termometri nuk pritet të ngjitet më shumë se 7 gradë.
Anida Murati /SHENJA/