Janë arestuar 2 pronare të 2 shtëpive private të pleqëve në Shkup për shkak të ushtrimit të dhunës fizike dhe psiqike tek të moshuarit e strehuar në strehimoret e tyre. Siç bëjnë të ditur nga prokuroria themelore publike të dyshuarat përveç dhunës kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale dhe me qëllim të përfitimit material për veten e tyre, kanë shkelur rëndë të drejtat e personave të strehuar. Të dyshuarat u kanë dhënë ushqime me afat të skaduar të moshuarve, kanë akomoduar më shumë të moshuar se sa kapaciteti I lejuar, nuk kanë poseduar staf të mjaftueshëm të të punësuarve, kanë punësuar persona pa dokumentacion përkatës të punësimit dhe nuk kanë siguruar katër vakte ditore me specifikime përkatëse për vaktet e shpërndara, siç kërkohet me rregullat për funksionimin e tyre.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE SHKUP
“Gjatë bastisjeve të kryera në dy institucionet, njëri prej të cilëve ndodhej në rrugën ‘Rudo’ në Butel dhe tjetri në rrugën ‘Kozara’ në Qendër, u përcaktua se dy të dyshuarat, si persona që vepronin në cilësi zyrtare, kryen dhunë fizike dhe psiqike me qëllim që t’u shkaktonin të strehuarëve dhimbje fizike dhe psiqike”.
Prokuroria sqaroi se çdo muaj, dy institucionet gjeneruan gjithsej 2.232.000 denarë në përfitime pronësore.
Nga MPB thonë se të dyshuarat N.J. (47) dhe T.I. (58), nga Shkupi, kanë shkelur ligjet e punës me të cilat e dyshuara e parë ka strehuar 27 të moshuar në objektin në Butel ndërkaq leje kishte vetëm për 21 persona dhe së bashku me të dyshuarën e dytë kanë strehuar 33 të moshuar në objektin në qendër, ndërsa lejen e kishin vetëm për 17. Sipas MPB-së ndryshe nga të gjitha rregullat dhomat akomodonin si banorë meshkuj ashtu edhe femra.
MPB
“Nuk kishte shtretër të siguruar për të gjithë banorët, kështu që disa banorë flinin në divane në dhomën e ndenjes ose dy persona flinin në të njëjtin shtrat të vetëm. Të gjithë banorëve në të dy institucionet u shërbyen ushqime me produkte të skaduara. Disa banorë ishin të mbyllur vazhdimisht në dhoma të ndara dhe disave u jepeshin ilaçe që nuk ishin përshkruar nga mjeku”.
Nga MPB thonë se 2 shtëpitë e pleqëve janë mbyllur dhe me koordinimin e autoriteteve shtetërore kompetente, është siguruar akomodim i përshtatshëm për banorët.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/