Zyra e Prokurorit Publik njofton se deri më tani nuk ka bërë asnjë kualifikim të ndonjë vepre penale nga dhuna e ushtruar ndaj deputetëve dhe gazetarëve në kuvend. Nga kjo prokurori thonë se vendosja e kualifikimit specifik ligjor për ndonjë person për të cilin do të vërtetohet se ka kryer vepër penale do të bëhet pas mbledhjes së provave të nevojshme dhe verifikimit të fakteve.
“Informojmë opinionin se Prokuroria Themelore Publike Shkup nuk ka bërë asnjë rikuaifikim të çfarëdo vepre penale dhe se deri më tani informatat e publikuara të një pjesë të mediavef janë spekulime. Numri i personave të privuar nga liria, veprimet konkrete të organeve hetimore, si dhe veprimet e mëtejme që do të ndërmerren, prokuroria themelore do t’i kumtoj opinionit kur do të krijohen kushte për atë dhe kur prokurorët publik kompetent do të mbarojmë me vërtetimin e fakteve”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.
Nga prokuroria sqarojnë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe se punojnë në identifikimin e pjesëmarrësve në aktet e dhunshme në Kuvend.
Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka asnjë informatë të re rreth hetimeve të sulmit të së enjtës në Kuvend. Kreu i këtij institucioni, Agim Nuhiu, dje tha se ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Publike me qëllim të sigurimit të materialeve të nevojshme për zbardhjen e ngjarjeve. Ndërkohë, si pasojë e sulmit në Kuvend, gjithsej 102 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Qytetit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë. Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë.
Dhuna në Kuvend, Prokuroria: Nuk janë vërtetuar… by tvshenjaofficial