Rritet numri i personave të dyshuar se kanë qenë të përfshirë në sulmit e 27 prillit në Kuvend gjatë javës së kaluar. Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar sot se Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup në bashkëpunim me Prokuroninë Publike mbrëmë janë thirrur në biseda zyrtare më shumë persona për të cilët kanë ekzistuar dyshime se kanë qenë të përfshirë në ngjarjet në Kuvend. Me çka sipas MPB, për këtë sulm dyshohen edhe katër persona të tjerë.
“Për shkak të konstatitmit të bazave për dyshim të kryerjes së veprës penale “pjesëmarrje në turmë që do të pengoj personat zyrtarë në ushtrimin e detyrës zyrtare” sipas nenit 384 nga Kodi Penal i Maqedonisë nga ana e personave D.T. (42), Gj.M. (52) dhe T.O. (52) të gjithë nga Shkupi, si dhe vepra penale – “pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale” sipas nenit 385 nga Kodi Penal i Maqedonisë nga ana e personit N.P. (39) nga Shkupi, për të njëjtin SPB Shkup do ti dorëzoj njoftim të posaçëm Prokurorisë Themelore Publike”, thonë nga MPB-ja.
Ndërkohë, Komiteti i Helsinkit sot ka nxjerrë një raport të posaçëm për identifikimin e kryerësve dhe veprat penale të mundshme të kryera gjatë sulmit në Kuvend. Në raport thuhet se janë bërë gjithsej 27 vepra penale, prej të cilave për 17 prej tyre veç më ka numër të konsiderueshëm të dëshmive dhe 10 vepra penale për të cilat ka dyshime që janë kryer. Kryerësit e mundshëm, sipas këtij raporti, janë të ndarë në katër grupe: organizator, kryerësit, zyrtarë të policisë dhe shefat e tyre.
“Ky raport i posaçëm ka të bëjë me vepra penale të identifikuar përmes fotografive, materiale audio-vizuele dhe dëshmi, si dhe në vepra penale për të cilat ka dyshime, por akoma nuk është hetuar nëse janë kryer dhe prej kujt. Raporti i adresohet cenimit të të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutën dhe të sanksionuara me Kodin Penal”, thonë nga Komiteti Helsinkit
Komiteti Helsinkit vlerëson se gjatë përleshjeve në Kuvend janë bërë vepra të rënda penale siç janë: kërcënimi i jetës, i lirisë dhe të drejtave të qytetarëve, shkatërrimi i pronës, kërcënimi i sigurisë, shtetit, pozitës zyrtare, gjyqësorit dhe rendit publik.
Komiteti i Helsinkit kërkon nga organet gjyqësore që për secilin person individualisht të bëhet kualifikimi i veprës që e ka kryer, mos të jepet kualifikim i përgjithshëm për gjithë të dyshuarit.
Teuta Buçi /SHENJA/
Dhuna në Kuvend, edhe sot ka të dyshuar të ri by tvshenjaofficial