Pak minuta pas orës 12:00 deputetët e Komisionit për Mbikqyrje të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, të cilët posedojnë certifikatë sigurie, me automjet të sigurtë zyrtar, sot arritën në hapësirat e ASK-së për të shqyrtuar rastin e dyshimeve për përgjime të paligjshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, gazetarëve dhe biznismenëve, pas vendimit të marrë në seancën e sotme të komisionit. Deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska para hyrjes në ASK tha se në këtë takim do të kërkojë deklasifikimin e dokumenteve dhe se do ti parashtrojë disa pyetje të cilat do të shërbejnë për zbulimin e mëtejshëm të situatës.
SLLAVJANKA PETROVSKA, DEPUTETE E LSDM-SË
“Ajo që e pres nga kjo mbikqyrje është që të na lejohet qasje në të gjitha dokumentet që do ti kërkojmë, të cilat ASK do të konsiderojë se janë të disponueshme për ne. Unë personalisht kam përgaditur disa pyetje, njëra nga ato është se çka ka ndodhur me pilografistin i cili është përmendur në takime, ai i cili i ka kryer testimet pilografike a është akoma në punë, a është larguar nga puna me presion, çka ka ndodhur me drejtorin e kontrollit të brendshëm sepse sipas informacioneve të mia ai është ndëruar para se të fillojë ky kontroll I brendshëm në ASK dhe shumë pyetje të tjera”.
Ndërkaq, deputeti i VMRO-DPMNE-së Ljupço Prenxhov tha se më e rëndësishme se kërkesat për deklasifikim është që të qartësohet se çka ka ndodhur, kush ka qenë target i përgjimeve dhe për çfarë motivesh është bërë.
LJUPÇO PRENXHOV, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Ajo që është e rëndësishme është të shohim se çfarë ka ndodhur saktë, se kush ka qenë target, çfarë masash kanë qenë të shfrytëzuara kundër opozitës së atëhershme, të shohim çka është dorëzuar tek prokuroria publike dhe përfundimisht këto institucione ti rregullojnë këto çështje që më të mos ndodhin këto në RMV sepse shërbimet duhet të jenë rojtarë të shtetit dhe jo gjeneratorë të krizave të vendit”.
Seanca e sotme e Komisionit për Mbikqyrje të punës së ASK-së, për të cilën ditën e djeshme nga kuvendi njoftuan se do ta udhëheqë kryetari i komisionit, deputeti i “Frontit Europian”, Skender Rexhepi, në mungesë të tij, u udhëhoq nga zëvëndësi i tij Blerim Bexheti, i cili shprehi pakënaqësi se si anëtarë dhe udhëheqës të këtij komisioni nuk posedojnë certifikata sigurie për të pasur qasje në informacione të klasifikuara.
BLERIM BEXHETI, NËNKRYETAR I KOMISIONIT PËR MBIKQYRJE TË PUNËS SË ASK-SË
“Më lejoni shkurt ta them para opinionit është e pakuptimtë që deputetët nuk kanë certifikate as anëtarët dhe zëvendësanëtarët dhe nga e kaluara kjo shumicë parlamentare miraton shumë ligje, ja këtu publikisht ju bëjë ftesë që deputetët me automatizëm të kenë certificate sigurie dhe të kenë qasje në informacionet e klasifikuara. Është e pakuptimtë kjo minimalisht anëtarët dhe zëvendësanëtarët duhet të kenë certificate të tillë me automatizëm”.
Deputetja Jovana Mojsoska nga radhët e LEVICËS që në fillim të seancës tha se nuk do të votonte për rendin e ditës të propozuar sepse, siç tha ajo, nuk ka certifikatë sigurie. Ajo tha se edhe në mandatin e ri të kuvendit po bëhen keqpërdorime sepse deputetët e opozitës nuk po marin certifikata të sigurisë.
Deputetët e komisionit për mbikqyrje të ASK-së në seancën e sotme vendosën që nesër në orën 12 të kryejnë mbikqyrje edhe në Agjencinë e intelegjencës.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/