Dy koordinime dhe 7 orë debat pa ndonjë rezultat konkret. Edhe sot debati parlamentar për komisionin e zgjedhjeve dhe emërimeve kaloi nën hijen e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare. Në polemikat e sotme u përfshinë edhe deputetët shqiptarë. Deputeti i BDI-së, Ejup Halimi lexoi deklaratën nga foltorja e Kuvendit, për çka deputetët e VMRO-DPMNE-së e falënderuan dhe duartrokitën duke thënë se më këtë Alimi ka konfirmuar të gjitha konstatimet e tyre për të ashtuquajturën platforma e Tiranës.
“Dilemat duhet të hiqen dhe të mos bëhen poenë politike ditore dhe të mos ngriten tensionet mes dy etniteteve shumicë që e përbëjnë këtë vend. Kjo është program dhe platformë e partive politike shqiptare dhe zgjidhja e të gjitha problemeve tjera do të kontribuon në demokratizimin e shoqërisë së Republikës së Maqedonisë”, tha deputeti nga radhët e BDI-së, Ejup Alimi.
“E para, platformë ka, platformë ka! Ua lexoi Zotëri Ejupi, për çfarë unë i falënderohem. Zotëri Veljanovski, kërkoj stenogramin nga fjalimi i zotëri Ejupit, ta marrin të gjithë deputetët edhe ata të cilët deri dje mendonin se nuk ka”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Më pas kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela i doli në mbrojtje edhe rezolutës për gjenocidin ndaj shqiptarëve të cilën kreu i LSDM-së Zoran Zaev e kishte hedhur gjatë promovimit të programit qeveritar. Sela tha se ka pasur gjenocid dhe duhet të dënohet, ndërsa Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE shfrytëzoi edhe këtë deklaratë për të forcuar akuzat ndaj LSDM-së dhe për zvarritur debatin parlamentar.
“Realiteti është që kanë kaluar mbi se 16 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe e njëjta nuk është respektuar. Realiteti është që ne duhet të hapim jo vetëm gjenocidin e atyre viteve që përmenden në deklaratë, po ju duhet të flitni edhe për gjenocidin që ua bëtë familjes Zeqiri në Radishan. E vërteta është që ju akoma keni tendenca gjenocidale ndaj një populli të tërë”, tha Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët.
“Nëse zotëri Zoran Zaev gënjen se nuk ekziston platformë për të cilën ka marrëveshje dhe e cila është e pranuar nga Tirana, Zotëri Ejup Alimi nuk gënjen. Nëse zonja Shekerinska gënjen se nuk ka bisedime për rezolutë për dënim të gjenocidit ndaj shqiptarëve, zotëri Ejup Alimi nuk gënjen. Nëse zotëri Zaevi gënjen se nuk është biseduar për ndryshim të kushtetutës, ligjit, të riorganizimit territorial, të kantonizimit, zotëri Zijadin Sela nuk gënjen”, tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Pas këtyre polemikave reagoi Lëvizja Besa e cila akuzoi për teatër të inskenuar dy partnerët e qeverisë së deritanishme. Deputeti Zeqirja Ibrahimi tha se ka marrëveshje të fshehtë me të cilën BDI i jep argumente VMRO-DPMNE-së që të akuzojë LSDM-në dhe të pengojë punën e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Në këtë rast tek kolegët e VMRO-së nuk shohim se ka asnjë kundërshtim por thjesht është një aktrim. Sipas kësaj logjike i bie që tash un mund të marr fjalën për të bërë një replikë dhe vetëm të rri në foltore dhe të them: Turp, turp, turp, dhe vetëm të shikoj sekondat. Andaj, ju lus që të mos talleni me ndjenjat e qytetarëve që po na shohin. Dhe çështja tjetër e kam për kolegët tanë të LSDM-së, e shihni se si këta të BDI-së janë marrë vesh me këta të VMRO-së, që të sabotohet puna e sabotimit të Kuvendit. Ata u japin arsye për punën e platformës, për punën e gjuhës, e për çështje të tjera, që këta pastaj të mund të bëjnë reagime dhe ju të akuzoheni se keni pranuar platformën. Unë e shoh se kjo është një marrëveshje mes deputetëve të BDI-së dhe të VMRO-së që të zgjatet kjo punë dhe ky kuvend të duket një cirk, e jo si kuvend”, tha Zeqirja Ibrahimi nga Lëvizja Besa.
Përndryshe, debati parlamentar për çdo ditë zvarritet gjithnjë e më shumë. Për tre ditë debat vetëm tre deputetë kanë përfunduar diskutimin, ndërsa edhe 54 të tjerë janë në listë. Deputetët kanë shfrytëzuar ndërhyrjet procedurale për të zvarritur edhe më shumë debatin.
Arben Zeqiri /SHENJA/