Deponitë janë ndër problemet që vazhdojnë t’i tangojë më së shumti tetovarët. Njëra ndër rrugët që është shndërruar në deponi është rruga “Drenovec” dhe përveç asaj rruga është e baltosur dhe e mbushur me gropa uji, që ju shkaktojnë pengesë të madhe banorëve që banojnë në afërsi të kësaj rrugë. Ata për Televizionin Shenja thonë se disa herë janë drejtuar në komunë për të kërkuar ndihmë rreth rregullimit të këtij problemi, por përgjigja që ata marrin vazhdimisht është se rruga do të rregullohet, ndërsa vitet kalojnë dhe gjendja e rrugës mbetet e njëjtë.
Ata madje aspak nuk janë optimist se ndonjëherë ajo do të rregullohet. Edhe më keq, thonë banorët, është gjatë natës, sepse kjo lagje nuk është e pajisur as me drita.
“Ka 25 vite, sot nesër nuk e kanë rregulluar. Prej në 2001-shin kanë filluar, nuk kanë bërë asgjë. Tash nuk e di ku është qëllimi, tek qeveria apo tek komuna nuk e di….Si e shihni vetë, është me baltë. Me pluhur, pa drita, ndërsa ne në realitet i paguajmë të gjitha tatimet e shtetit. Rrymën e paguajmë, megjithëse nuk kemi drita në rrugë, tatimet ta vijnë…fëmijët kur shkojnë në shkollë, duhet pastaj të shkojmë t’i marrim”, deklaroi një qyetetar.
“Kjo rrugë është pengesë ka 20 vite, na japin premtime kur është puna me jau dhënë votat, tash prapë do të vijnë të na japin premtime, vijnë e hedhin nga një kamion rërë, kinse pak e kanë rregulluar, 20 vite në me këtë rrugë mirremi. Arsyetimi kur shkojmë ne në komunë për tu ankuar, thonë do të vijmë, e kemi parasysh”, tha një qytetar.
“Neve kjo rrugë na pengon gjatë kohë, kemi bërë ankesa…por kjo rrugë nuk është rregulluar. Ka disa pengesa të brendshme diku më lartë dhe për këtë shkak kjo rrugë ka ngelur pa u rregulluar. Nuk mund ta dijmë se a do të mund prap të depërtojnë këtu…kjo rrugë është kështu gati 20 vite që ka filluar të ndërtohet dhe deri tash ende nuk është ndërtuar dhe nuk besoj se do të ndërtohet”, deklaroi një qytetar.
Në anën tjetër, të kontaktuar nga Televizioni Shenja, Sektori për Veprimtari Komunale në komunën e Tetovës, thonë se presin që të përfundojë procedura e marrjes së tenderit dhe të fillojnë me ndërtimin e asaj rruge. I pyetur për vonesat e shumta për fillimin e punimeve, Hysein Demiri nga ky sektor thotë që ajo rrugë kërkon intervenim të tërësishëm që nga rrethrrotullimi deri te kazerma dhe për atë arsye fillimi i ndërtimeve është prolonguar.
“Bisedohet për rrugën “Bllagoja Toska” prej te rrethi që gjendet te stadiumi i qytetit, deri tek kazerma. Ne si komunë e kemi në plan që të intervenojmë aty, presim që të mbaron tenderi për punët intervente dhe menjëherë do të nisim me sanimin e asaj pjese, se pjesërisht aty nuk mund të intervenojmë se komplet ajo pjesë është e shkatërruar”, deklaroi Hysein Demiri, komuna e Tetovës.
Ndërkaq qytetarët kërkojnë intervenim sa më të shpejtë përshkak se grumbullimi mbeturinave që bëhet në atë rrugë mund të ju shkaktojë edhe ndonjë sëmundje.
Emine Ismaili /SHENJA/