Departamenti i Filologjisë Orientale në UT së bashku me WAMY për të tretën ditë radhazi organizojnë trajnimin e gjuhës arabe për studentët e Ballkanit. Në hapësirat e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Tetovës u bë organizimi i përbashkët me Asamblenë Botërore e të rinjëve musliman (World Assembly of Muslim Youth) dhe programit studimor Filologji Orientale mbi trajnimin në komunikim në gjuhën arabe për studentët e gjuhës arabe nga i gjithë Ballkani. Kjo ngjarje shënon një ditë të rëndësishme për këtë program studimor, sidomos për studentët pasi për herë të parë një organizim i këtillë realizohet në Maqedoninë e Veriut, dhe atë në bashkëpunim me programin studimor Filologji orientale të fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës. Ky trajnim është i treti me radhë, pas dy trajnimeve paraprake më 2023 dhe 2024 në Sarajevë.
Në këtë hapje solemne, përveç stafit të programit studimor Filologji orientale në cilësi të bashkorganizatorit dhe studentëve të tij, prezent ishin edhe Prorektori për Arsim i UT-së prof. dr. Ibrahim Neziri, Dekani i fakultetit Filozofik prof. dr. Kushtrim Ahmeti, prof. dr. Awad Xhum’ah nga Rijadi i Arabisë Saudite – trajnues i specializuar në fushën e komunikimit në gjuhën arabe për jo arabfolësit, prof. Yasir Es-Sabag – drejtor i zyrës së WAMY-t në Sarajevë, si dhe studentë nga shtete të ndryshme të Ballkanit. Pas fjalimeve të rastit nga ana e Shefit të programit studimor Filologji orientale, prof. dr. Sulejman Baki, Dekanit të Fakultetit Filozofik dhe përfaqësuesve të organizatorëve nga Sarajeva dhe Rijadi u këmbyen edhe dhurata e mirënjohje të ndërsjella në shenjë falëndirimi dhe thellimi të bashkëpunimit ndërmjet palëve edhe në vite dhe projekte të ardhëshme. Hapja u mbyll me një koktej modest nga ana e nikoqirit, pas çka filluan edhe trajnimet e parapara sipas programit të organizatorëve.
Trajnimi ka filluar nga dita e hënë, ndërsa do të zgjasë deri të premtën më 07.11.2025 në hapësirat e programit studimor Filologji Orientale në Universitetin e Tetovës dhe në hotel Arena në Kodrën e Diellit.
Samir Mustafa /SHENJA/


