Kryeministri Hristijan Mickoski sot ka deklaruar se vendi po përballet me një skandal të përgjimeve të paligjshme, ku siç thotë ai, gjatë periudhës 2019- 2024 kur ka qenë kryetar i VMRO-DPMNE-së në opozitë, është përgjuar nga agjencia për siguri nacionale. Ai thotë se pjesë e përgjimeve kanë qenë edhe gazetarët, biznismenët dhe figura të tjera publike. Mickoski ka paralajmëruar se për këto veprime do të ketë përgjegjësi.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Shteti ynë po përballet me një skandal të ri, përgjim të paligjshëm dhe keqpërdorim masiv të sistemit gjatë viteve të fundit. Unë personalisht, atëherë si kryetar i partisë më të madhe opozitare, e sot si kryeministër, bashkë me gazetarë, media, biznesmenë dhe figura publike kemi qenë viktima të sistemit që i ka përgjuar qytetarët e vet. Ky nuk është sulm vetëm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj të drejtës për liri, ndaj themeleve të shtetit. Dua të përcjell një mesazh, nuk do të ketë drejtësi selektive, do të ketë përgjegjësi, do të ketë zgjidhje ligjore”.
Akuza për përgjime të paligjshme nga ana e agjencisë për siguri nacionale dhe agjencisë së intelegjencës pati edhe gjatë ditës së djeshme nga kryeministri dhe nga drejtori aktual i ASN-së Bojan Hristovski.
Ndërkaq ish drejtori i ASN-ë Viktor Dimovski mohoi akuzat për përgjime dhe tha se gjatë periudhës së tij si drejtor i këtij institucioni, lideri i i VMRO-së opozitare në periudhën 2019–2022, nuk ka qenë subjekt i interesit të veçantë operativ të Agjencisë.
VIKTOR DIMOVSKI, ISH DREJTOR I AGJENCISË PËR SIGURI NACIONALE
“Duke pasur parasysh se në një konferencë të mëparshme për media në Agjencionin për siguri nacionale u përmend periudha nga viti 2019 deri në vitin 2024, një pjesë e së cilës unë shërbeva edhe si Drejtor i agjencisë, deklaroj me përgjegjësi se ai, si udhëheqës i partisë së atëhershme opozitare, nuk ishte lëndë e interesit të veçantë operativ të Agjencisë në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022, nuk ishte lëndë e punës së organizuar operative dhe nuk ishte target kundër të cilit u aplikuan masa operative teknike”.
Dimovski i bëri thirje drejtorit aktual të ASN-së që urgjentisht të deklasifikojë dokumentet mbi dyshimet për keqpërdorime të cilat lidhen me Hristijan Mickoskin.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/