Përderisa vazhdon bojkoti i nxënësve të fshatit Nerovë të Krushevës, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, ka reaguar rreth zhvillimeve që kanë sjellë këtë bojkot. Ai në një konferencë për media të mbajtur në Kuvend, i ka bërë thirrje MPB që të ndalojë presionin në Nerovë. Ai ka sugjeruar që nëse institucionet duan të merren me objektet ilegale, le të merren me ndërtesat e shumta ilegale nëpër qytetet e vendit.
Zijadin Sela, deputet
“Objekt pa leje nuk është një shkollë, shkolla është interes publik, shkolla është interes i të gjithë qytetarëve, shkolla është vendi në të cilin ndërtohet jetë dhe ardhmëri. Objekte pa leje dhe të paligjshme janë ato të cilët uzurpojnë pronën publike, ato të cilët bllokojnë rrugë, ato të cilët vështirësojnë përditshmërinë e qytetarëve, ato të cilët krijojnë të fortit brenda komunave dhe qyteteve dhe të cilët pastaj bashkëjetojnë në njëfarë forme me institucionet shtetërore dhe me të, kjo është formë se si bëhet kapja e shtetit”.
Sela po ashtu, i bëri thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Krushevës, që urgjentisht të marrin të gjitha masat dhe sa më shpejtë të rregullohet dokumentacioni i kësaj shkolle dhe jo të ndalohen punimet në këtë shkollë.
Kujtojmë se, në mungesë të kushteve për mësim në shkollën e vjetër, banorët e fshatit Nerovë, në vitin 2024 filluan me vet iniciativë dhe me kontributin e tyre filluan ndërtimin e një objekti shkollore për 140 nxënës nga ky fshat. Megjithatë, së fundmi, inspektorati ndërtimor i Komunës së Krushevës, ka vendosur ndalesë për vazhdimin e punimeve në objektin e ri të shkollës së Nerovës.
Teuta Buçi /SHENJA/