Reshjet intensive të borës, temperaturat e ulëta që arrijnë deri nën zero, ngrica të mëdha si dhe era e fortë që ka mbizotëruar ditët e fundit, ka bërë që shumë autostrada, rrugë, fshatra dhe banorë të mbeten të izoluar. Komunikacioni në gjithë shtetin po zhvillohet me shumë vështirësi. Janë pastruar disa nga rrugët po ka ende të pa pastruara dhe ka ndalesa për qarkullim në disa akse rrugore. Ndalesë për lëvizje të makinave prej sot në mëngjes është vendosur në drejtim të fshatit Krupishte-Probishtip. Ndërsa, për të gjitha llojet e makinave është vendosur ndalesë në rrugën Kumanovë-Sveti Nikolë. Ndalesë ka edhe në Strazhë, Mavrovë, në aksin rrugor Kriva Pallankë dhe vendkalimin kufitar Deve Bair. Banorët lokal njoftojnë se edhe rruga e vjetër Shkup-Kumanovë është tërësisht e bllokuar.
Ndërsa, rrugët kryesore, magjistrale dhe austradat ngelin me probleme serioze të qarkullimit, në shumë fshatra të Malësisë së Shkupit, Kumanovës, Karshiakës e të tjerë, banorët janë ngujuar dhe nuk mund të lëvizin.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se sot kanë marrë një njoftim për pesë persona të bllokuar nga bora në fshatin Gornjani të Bllacës, por fatmirësisht ata janë shpëtuar dhe dërguar në vend të sigurt.
“Në fshatin Gornjani, të rajonit të Bllacës janë gjetur 5 persona të bllokuar nga bora, rreth orës 11:40 policët i kanë gjetur këto persona, por asnjëri prej personave të gjetur nuk është ankuar për ndonjë lëndim. Rasti është lajmëruar në polici nga një qytetar, në orën 11:00 dhe pastaj në 11:40, janë shpëtuar dhe sjellë në qytet”, thonë nga MPB.
Ka edhe dhjetëra raste të tjera të bllokuara, por fatmirësisht nuk ka raportim për lëndime eventuale ose jetë të humbura, sepse intervenimet janë bërë me kohë. Përndryshe, sinoptikanët thonë që, dita e nesërme pritet të shënoj fundin e temperaturave shumë të ulëta. Nga e hëna pritet zbutje e temperaturave që ditëve të fundit arritën deri në minus 20 gradë celsius gjatë natës.