Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun kosovar Rifat Latifi rreth masave restriktive që ka marrë Qeveria e Kosovës për hyrje në Kosovë. Kërkesa për tre doza vaksine ose 2 doza dhe test negativ për hyrje në Kosovë, sipas ministrit Bekim Sali, vështirëson realizimin e obligimeve të përditshme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë lidhje familjare ose lidhje biznesi në Kosovë. Ai ka kërkuar rishqyrtim të kësaj mase, por duke mirëkuptuar edhe situatën e vështirë epidemiologjike në rajon.
BEKIM SALI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Kolegut Latifi ia përcolla edhe brengën e qytetarëve tanë të cilët kanë lidhje familjare, biznesore dhe detyrime të tjera të cilat kanë vështirë tani në realizimin e kërkesave…Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në vendet tona është gati se e njejtë, me mirëkuptim kërkova që të rishqyrtohet ky vendim dhe të kërkohet një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve por edhe të mundësi për qarkullim të lirë”.
Ministri Sali thotë se mes tjerash me ministrin e Shëndetësisë të Kosovës ka folur edhe për koordinimin e ministrave të rajonit, me qëllim që i gjithë rajoni të ketë masa të përbashkëta për lëvizjen e qytetarëve.
BEKIM SALI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Ne në parim u morëm vesh që të kemi një koordinim të të gjithë Ministrave të Shëndetësisë në rajon, që të mund të sjellim vendime bashkërisht, që të mos kemi ndalesë të qarkullimit të qytetarëve prej një shteti në shtetin tjetër”.
Ndërkohë Maqedonia e Veriut nuk mendon për ashpërsim të masave për hyrje në shtet. Situata epidemiologjike, sipas Ministrit Bekim Sali është nën kontroll, por megjithatë do të veprohet duke analizuar situatën në bazë ditore.
BEKIM SALI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Tani për tani nuk planifikojmë ndonjë ndryshim të masave restriktive për qarkullim, për arsye se konsiderojmë që situata te ne është nën kontroll. Por dua ta theksoj edhe një herë se analizat janë në bazë ditore dhe të dhënat që na vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik janë tregues më i mirë për ne se çfarë masa duhet të marrim në të ardhmen”.
Aktualisht në Maqedoninë e Veriut ka mbi 20 mijë raste aktive me koronavirus. Deri tani janë vaksinuar mbi 860 mijë qytetarë, shumica prej të cilëve me dy doza vaksine kundër Covid19. /SHENJA/