BDI ka vendosur të reformohet. Të paktën kështu thuhet në komunikatën e BDI-së që u është dërguar mediave. Nga partia e Ahmetit kanë thënë se në mbledhjet e mbajtura të Kryesisë Qendrore, përpos vendimit për të participuar në Qeverinë e ardhshme me LSDM-në, ata kanë diskutuar edhe për nevojën për reformim transparent të të gjitha niveleve dhe strukturave të BDI-së.
“Që nga themelimi i vet, si pasardhëse e UÇK-së, e gjer më sot, BDI dhe Ali Ahmeti kanë ngadhnjyer në çdo garë zgjedhore duke marrë besimin dhe përgjegjësinë nga shumica absolute e shqiptarëve në vend. Besimi i qytetarëve për t’i zbatuar premtimet zgjedhore është realizuar me pjesëmarrje gati se të pandërprerë në të gjitha pushtetet, gjë që ka bërë që eksponentët partiak të bëhen objekt i kritikës së vazhdueshme, por edhe i shpifjeve të paskrupullta, që përfshijnë akuza të paargumentuara për korrupsion, nebulozave për tradhti kombëtare gjer tek akuzat marrëzore për vrasje”, kanë thënë nga BDI.
Nga BDI thonë se për të zbardhur të vërtetën e plotë, ajo kërkon dhe do të angazhohet për hulumtim të thellë të veprimtarisë së çdo funksionari nga viti 2002 gjer më sot dhe bartje të përgjegjësisë për çdo keqpërdorim eventual të besimit partiak dhe detyrës zyrtare.
“Duke qenë të sigurt në veprimtarinë tonë, ky hap paraqet përkushtim të palëkundur për zbardhjen e së vërtetës dhe nismë reformuese për vijimin e qëndrueshëm të BDI-së si vlerë kombëtare, nëpërmjet largimit ligjor dhe institucional të të gjitha dyshimeve, por edhe shpifjeve të vazhdueshme tendencioze në adresë të BDI-së”, qëndron në komunikatën e BDI-së.
Në mbledhjen e fundit, BDI vendosi që të jetë pjesë e Qeverisë me LSDM, ndërsa kanë kërkuar nga presidenti Ivanov që t’ia japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.