Bashkimi Demokratik për Integrim e akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se e ka kapur plotësisht sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjyqësorin. Partia përmend tragjedinë në Koçan, duke theksuar se në “zinxhirin e fajtorëve” çuditërisht nuk përfshihet edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili 13 muaj para tragjedisë ishte në dijeni për ekzistencën e një klubi nate ilegal që shkelte të gjitha standardet e mundshme të sigurisë.
Nga BDI thonë se ky proces tashmë është shndërruar në një karikaturë të një hetimi ligjor, ku të gjithë janë fajtorë, përveç nëse janë nga VMRO-DPMNE.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian të dërgojë menjëherë ekspertë ligjorë dhe të përfshihet drejtpërdrejt me një monitorim të përforcuar të këtij rasti, më pas, me ekspertizën dhe gjetjet e saj, do të ndihmojë komisionin parlamentar, i cili duhet të krijohet menjëherë nën mbikëqyrje ndërkombëtare”.
Ka reaguar koalicioni i partive në pushtet VLEN, nga ku ata thonë se BDI, pas 22 vitesh pushtet dhe shkatërrimit të sistemit të drejtësisë, sot përpiqet të luajë rolin e viktimës, duke kërkuar hetim vetëm për tragjedinë në Koçan.
VLEN
“Por qytetarët nuk harrojnë: Kush e krijoi këtë sistem të kalbur? Kush i mbronte kriminelët? Kush i shndërroi gjykatat dhe prokurorinë në zyra private të partisë? VLEN nuk do të lejojë që e vërteta të manipulohet! Kërkojmë komision hetimor për të gjitha tragjeditë e viteve të fundit – nga Llaskarca, spitali modular, Besa Trans, e deri te Koçani. Nuk do të lejojmë që BDI të vendosë se cilat viktima meritojnë drejtësi dhe cilat duhet të harrohen!”.
“VLEN do të vazhdojë të luftojë për drejtësi të vërtetë, jo për farsat politike të një partie që tashmë i përket të shkuarës”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Anida Murati /SHENJA/