Policia ka proceduar penalisht një 33-vjeçar me shtetësi holandeze pasi u filmua në zonën e Pazarit të Ri në Korçë duke dhunuar vajzën e tij.
Ai shihet teksa kap të miturën dhe e tërheq për flokësh, teksa vogëlushja qante.
Vajza mbahej për dore nga nëna e saj, e cila nuk reagoi në asnjë moment të dhunës së ushtruar nga i shoqi ndaj të miturës, ndërsa vazhdojnë rrugën.
“Nga deklarimet e dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore rezultoi që shtetasi që kishte kapur prej flokësh vajzën e mitur ishte babai i vajzës”, informuan blutë.
Ndërkohë nisi procedimi penal për 33-vjeçarin me iniciale M. U., shtetas holandez, për veprën “Keqtrajtimi i të miturit”.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
* Menjëherë pas publikimit të disa pamjeve, të publikuara në rrjetet sociale, në të cilat shfaqet momenti ku dy shtetas (burrë e grua) shfaqen në rrugë me një vajzë të mitur, ku dallohet qartë që burri e kap dhe e tërheq për flokësh vajzën e mitur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë kryer veprimet procedurale dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në komisariat të shtetasve të shfaqur në video. Nga deklarimet e dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore rezultoi që shtetasi që kishte kapur prej flokësh vajzën e mitur ishte babai i vajzës.
Në përfundim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. U., 33 vjeç, shtetas holandez, për veprën “Keqtrajtimi i të miturit”.