LSDM ende nuk ka filluar kontaktet me partitë shqiptare për të formuar shumicë parlamentare me të cilën do të mund të thirrnin vazhdimin e seancës konstituive në të cilën do të zgjidhej kryetari i ri i Kuvendit, i cili do të shpallte edhe zgjedhjet e rregullta lokale. Nga LSDM për TV SHENJA thonë se nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete në këtë drejtim për shkak se me rëndësi për Maqedoninë është kthimi i rendit kushtetues.
“Për momentin interes i rëndësisë së veçantë në Maqedoni është kthimi i rendit kushtetues, kjo nënkupton që Gjorge Ivanov, patjetër t’ia kthej mandatin LSDM-së dhe Zoran Zaevit me qëllim që të zgjidhet kryetari i Parlamentit, por dhe kryeministri”, kanë thënë nga LSDM.
Nga LSDM thonë se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit me qëllim të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, por edhe formimi i Qeverisë nuk është çështje individuale e LSDM-së, por e më tepër subjekteve politike, me të cilat duhet të arrihet marrëveshje për koordinim.