Protesta e shumë përfolur e 13 dhjetorit që do të realizohet në Shkup, në mbështetje të krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë të cilën e paralajmëroi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e të cilën e organizon Organizata e Vetaranëve të Luftës së UÇK-së, ka marrë mbështetjen edhe të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës.
Nga ASH-ja kanë kërkuar që mbështetësit e tyre të dalin masivisht dhe të marrin pjesë në këtë protestë. Sipas Aleancës, akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së përbëjnë përpjekje për të “njollosur luftën e pastër çlirimtare të popullit shqiptar”.
Nënvizojnë se kërkesa për drejtësi nuk është betejë politike, por një çështje që i prek të gjithë shqiptarët
ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Çdo njollë dhe akuzë ndaj tyre është tentim për të njëllosur luftën më të pastër dhe më të drejtë që mban mend historia e luftërave të kombeve për liri. Kjo duhet të jetë kauzë e çdo shqiptari, e çdo individi që e ndjen dhe e do lirinë dhe Kombin Shqiptar. Kjo nuk është një betejë individuale e as politike, por një betejë kombëtare që na tangon të gjithë neve dhe jo vetëm ata që padrejtësisht sot mbahen në burg. Andaj, është obligim moral i secilit prej nesh të ngrejmë zërin për dinjitetin e një pjesë të lavdishme të historisë sonë”
Protesta në fjalë ka ngritur debat në opinion pasi të njëjtën e ka komentuar edhe vetë kryeministri i vendit, Hristian Mickoski i cili mes tjerash tha se beson që të njëjtën nuk do ta përkrah koalicioni shqiptar VLEN që është me të në Qeveri. Ai këtë paralajmërim e cilësoi si hap të gabuar të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.
Mevludin Imeri /SHENJA/


