Nevojiten ndryshime demokratike në atë mënyrë që ajo të mbetet efikase dhe e realizueshme. Kështu ka deklaruar ministri i jashtëm dhe për Çështje Evropiane i Luksemburgut, Zhan Asalborn, pas takimit me ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. Në konferencën e përbashkët me homologun e tij Dimitrov, Asalborn deklaroi se zgjedhjet lokale të 15 tetorit janë shumë të rëndësishme për vendin. Sipas tij, këto janë zgjedhjet e para pas zgjedhjeve parlamentare të cilat OSBE do t’i vëzhgojë, andaj nënvizoi se shumë me rëndësi është që ato të jenë të organizuara në mënyrë adekuate dhe të japin rezultat i cili do të jetë reflektim i demokracisë në vend.
“Luksemburgu është në anën tuaj dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Në vitin 2005 në Bruksel thamë se Maqedonia do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Prej atëherë kaluan 12 vite. E dimë se bisedimet me Bullgarinë dhe mënyra në të cilën gjetët zgjidhje me Bullgarinë është e mirë. Shpresoj se kjo do të mund të arrihet edhe me miqtë tanë në Greqi. I mbështes negociatat me vendin tuaj. Methju Nimic është negociues i shkathtë dhe mendoj dhe shpresoj se do të ketë ndjenjë t’i afrojë dy vendet në gjetjen e zgjidhjes”, ka deklaruar Zhan Asalborn, Ministër i jashtëm i Luksemburgut.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, theksoi se vizita e kolegut të tij nga Luksemburgu vjen në një periudhë shumë të rëndësishme për Maqedoninë si në pikëpamje të reformave të brendshme, ashtu edhe në lidhje me politikën e re të jashtme të vendit. Dimitrov tha se vendi do të bëjë gjithçka për të hapëruar përpara lidhur me BE-në dhe NATO-n.
“Ia prezantova rrëfimin tonë pozitiv dhe e binda se do të bëjmë gjithçka deri në fund të këtij viti, të bëjmë mjaftueshëm për ta bindur KE-në të na japë rekomandim të pastër dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për t’i bindur fqinjët tanë dhe miqtë tanë evropianë se Maqedonia duhet të fillojë negociata inkuadruese me BE-në vitin e ardhshëm. Folëm edhe për NATO-n dhe për atë sa ndikim pozitiv do të ketë anëtarësimi i RM-së në Aleancë lidhur me stabilitetin tonë dhe stabilitetin e rajonit”, u shpreh Nikolla Dimitrov, ministër i jashtëm i Maqedonisë.
Ministri i jashtëm i Luksemburgut Zhan Asalborn në suaza të vizitës së tij në Maqedoni takohet edhe me kryeminsitrin Zoran Zaev, me presidentin Gjorge Ivnaov dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Mefai Ismaili /SHENJA/
Data 19.05.2026
Aktuale
- Së shpejti pritet dislokimi i kontingjentit të parë të FSK-së në Gaza
- Protesta e studentëve në Shkup, BDI: Iseni i keqtrajtoi studentët e Shqipërisë, kërkojmë falje për këtë turp
- SPAK kërkoi pushim të çështjes, GJKKO rrëzon Prokurorinë e Posaçme, rikthen për hetim dosjen
- Shtrenjtohet akomodimi në konviktet studentore
- “Nuk ka ngrohje e as kushte higjienike”- Avokati i Popullit ngre alarmin: 5 burgje duhen mbyllur, cenohet dinjiteti njerëzor
- Spiropali: Problemi me shqipen në Maqedoninë e Veriut nuk është procedural, por thellësisht politik
- Të shtunën në Kojnare të Kumanovës, hapet Tregu i parë i veturave në rajon
- Meidani: Kërkesa për dinjitet dhe të drejta gjuhësore nuk duhet të shihet si kërcënim

