Premtimet e BDI-së për përdorimin e gjuhës shqipe nuk do të realizohen tërësisht as me Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve, i cili ka kaluar mbrëmë në Qeveri. Bashkimi Demokratik për Integrim pati premtuar përdorimin e shqipes në të gjitha institucionet dhe madje edhe në uniformat e policisë dhe ushtrisë si dhe tek banknotat.
Sipas nenit 8 të këtij ligji, edhe banknotat dhe monedhat e farkëtuara do të jenë në gjuhën shqipe. Edhe në polici, edhe në uniforma të policisë në qytetin e Shkupit dhe në komunat ku shqiptarët janë 20 përqind, uniformat e policisë do të jenë në dy gjuhë”, deklaroi Bujar Osmani më 22 shkurt të këtij viti.
DRAFT/LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE
“Kartëmonedhat dhe monedhat si dhe kartat postale do të përmbajnë simbole që përfaqësojnë trashëgimi kulturore për qytetarët të cilët flasin gjuhën maqedonase dhe e përdorin alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën të cilën e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve dhe alfabetin e saj”.
Por BDI është zotuar për shqipen edhe në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.
Që në pikën e parë të Deklaratës së Përbashkët të partive shqiptare ku nënshkruese janë dy partitë në Qeveri, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, theksohet nevoja për barazinë e gjuhës shqipe me atë maqedonase.
Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes, dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin e saj cirilik, dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj, janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”, qëndron në Deklaratën e Përbashkët të partive shqiptare.
As ky zotim i deklaratës së përbashkët të nënshkruar nga partnerët qeverisës BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, nuk do të realizohet me Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve. Jo vetëm Kushtetuta, por edhe ky ligj nuk rregullon konkretisht përdorimin e shqipes, por përdorimin e gjuhës që e flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë, duke mos e përmendur gjuhën shqipe.
DRAFT/LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE
“Në të gjitha organet e pushtetit shtetërorë në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe alfabeti dhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrën e përcaktuar me këtë ligj”.
Ndër ndryshimet e tjera që sjell draft/ligji është lejimi i ministrave të Qeverisë që në seancat qeveritare të flasin gjuhën që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
As me Ligjin e ri nuk përmbushen premtimet e… by tvshenjaofficial

